E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova zgjedh drejtuesit lokalë, KQZ: Qendra në veri, të pahapura

PRISHTINË- KQZ njoftoi se janë hapur pothuaj të gjitha qendrat e votimit, përveç atyre në komunat në veri të Kosovës. Mbi 1.5 milion qytetarë me të drejtë vote zgjedhin kryetarët e komunave dhe përbërjet e reja të kuvendeve komunale.

Përjashtim, sipas kryetares së KQZ-së, Nesrin Lushta, bëjnë qendrat e votimit në komunat veriore të Kosovës.

"Përqindja e vendvotimeve të hapura është 98.49%. Ndërsa, në 1.55 për qind, vendvotimet nuk janë hapur", tha Lushta në konferencën për gazetarë të Komisionit Qendror Zgjedhor, që sivjet i organizon zgjedhjet pa ndihmën ndërkombëtare.

Lushta bëri të ditur se vendvotimet nuk janë hapur tërësisht në komunat në veri të Kosovës, ku komuniteti serb është treguar i rezervuar në lidhje me votimet.

"Ne kemi planifikuar paraprakisht se nëse ndodh një situatë e tillë, aty të hapen vendvotimet alternative ose të dërgohen ekipet mobile", tha Lushta.

Ndryshe, në tri komunat e reja me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, sipas Nesrin Lushtës, janë hapur të gjitha vendvotimet.

"Në Graçanicë janë hapur 25 vendvotime, në Ranillugë - 7 dhe në Kllokot - 5", tha Lushta.

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka bërë të ditur pjesëmarrjen e deritashme të votuesve, ndërkohë që ka njoftuar se rrjedha e votimit është duke shkuar në mënyrë të rregullt.

Në zgjedhjet lokale, ku do të zgjidhet kryetari i komunës dhe këshilltarët komunalë, marrin pjesë 74 subjekte politike, nga to 34 subjekte politike shqiptare, 22 serbe, 7 boshnjake, 4 turke, nga dy ashkalinje dhe të Malit të Zi, një e egjiptasve, goranëve dhe romëve.

Në zgjedhjet e gjashta me radhë që nga paslufta, të drejtë vote kanë më shumë se një milion e gjysmë qytetarë.

KQZ thotë se listat e votuesve janë të rifreskuara me të dhëna të reja, por, për një çështje të tillë, disa nga anëtarët e KQZ-së patën kritikuar institucionet e vendit dhe vetë KQZ-në, se nuk kanë rifreskuar mirë dhe me kohë listën e votuesve.

Ata patën thënë se nga kjo listë nuk ishin larguar emrat e atyre që nuk jetojnë më.

Specifika e zgjedhjeve të sivjetme është se ato po zhvillohen edhe në tri komunat e reja me shumicë serbe: në Graçanicë, në Kllokot dhe në Ranillugë.

Këto komuna u formuan gjatë verës së sivjetme, në kuadër të planit të decentralizimit.

Ndërsa, edhe pse të parapara me këtë plan qenë edhe dy komuna tjera, ajo e Parteshit dhe Mitrovica veriore, ato nuk u formuan për shkak të mosinteresimit të komunitetit lokal.

Institucionet thonë se në këto dy vendbanime, zgjedhjet do të mbahen pas 6 muajve.

Zgjedhjet lokale do të vëzhgohen nga vëzhgues vendës dhe ndërkombëtarë. Koalicioni i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim" ka angazhuar rreth 2,400 vëzhgues.

Nesrin Lushta shpjegoi:

"Janë 746 qendra të votimeve dhe 2,256 vendvotime në këto qendra votimi. Zgjedhjet do të zhvillohen në 12 rajone zgjedhore, në 36 komuna të Kosovës. Ndërsa, nga KQZ-ja tashmë janë akredituar mbi 21,300 vëzhgues".

Nga ana tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se janë marrë të gjitha masat që procesi zgjedhor të zhvillohet pa probleme.

Granit Fetahu, drejtor i policisë për planifikim dhe zhvillim pranë departamentit të rendit publik, bëri të ditur se për sigurinë janë të angazhuar më shumë se 5 mijë policë.

"Policia e Kosovës është shumë e përgatitur për të ofruar siguri gjatë procesit zgjedhor. Planifikimet kanë filluar shumë herët; të gjitha çështjet janë të planifikuara. Policia e Kosovës ka një numër të madh të zyrtarëve policorë të angazhuar, diku më tepër se 5 mijë".

"Të gjitha qendrat e votimit, të gjitha depot, të gjitha vendet ku do të jetë materiali sensitiv, do të sigurohen nga policia. Nuk do të lejohet lëvizje e materialeve dhe fletëvotimeve pa prezencën e policisë. Po ashtu, po ofrojmë siguri për të gjithë ata që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë", tha Fetahu.

Përfaqësues të misioneve ndërkombëtare u kanë bërë thirrje të gjithë vëzhguesve që të jenë syhapur gjatë procesit të votimit. (rel)

****

Kosovë, heshtje zgjedhore

Në Kosovë ka hyrë në fuqi heshtja parazgjedhore dhe partitë politike kanë përfunduar me tubimet e tyre. Zgjedhjet për pushtetin vendor mbahen nesër, të dielën dhe ato janë vlerësuar tepër të rëndësishme për shtetin e Kosovës.


Gjatë fushatës për pushtetin lokal, subjektet politik premtuan se do të zhvillojnë komunat e Kosovës, duke realizuar projekte për zhvillimin e ekonomisë, infrastrukturës, dhe projekte tjera që do të ndikojnë direkt në ngritjen e standardit të jetesës së qytetarëve.


Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se rreth 40 parti politike do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës.


Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në këto zgjedhjet dhe të zgjedhin udhëheqësit e tyre të ligjshëm në zonat e banuara prej tyre. Por, udhëheqësit e serbëve të Kosovës janë të ndarë në qëndrimet e tyre.


Zgjedhjet e sivjetshme lokale janë zgjedhjet e para që organizohen nga institucionet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, ndaj është vlerësuar se është tepër e rëndësishme që ato të përgatiten si duhet dhe të përmbyllen sipas standardeve më të larta demokratike.


Policia e Kosovës njoftoi se në ditën e zgjedhjeve komunale, më 15 nëntor, do të angazhohen më shumë se 5 mijë policë, në mënyrë që të sigurohet një proces normal dhe zgjedhje të lira për të gjithë qytetarët.


Policia thotë se është kujdesur edhe për planifikimin dhe sigurimin e materialit sensitiv zgjedhor, duke përfshirë këtu edhe fletëvotimet.

Presidenti Fatmir Sejdiu u është drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke kërkuar prej tyre të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në mënyrë masive, dhe të përcaktojnë vetë se kush do t'iu prijë në qytetet e tyre gjatë katër vjetëve të ardhshëm.


"Dua t'ju falënderoj për kulturën dhe qytetarinë që keni treguar gjatë një muaji sa zgjati fushata e parë parazgjedhore që pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Po kështu, ju shpreh mirënjohjen time edhe partive politike dhe kandidatëve të pavarur për kryetarë dhe të këshilltarë komunalë, të cilët zhvilluan një garë dinamike dhe korrekte. Ndonjë incident sporadik që ka ndodhur ditëve të fundit assesi nuk e zbeh përshtypjen e mirë që është krijuar tashmë për ecurinë e deritanishme të kësaj fushate", thuhet në mesazhin e presidentit Sejdiu.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit - sipas kreut të Shtetit - janë një test i madh i demokracisë për të gjithë ne, "ndaj ju thërras sërish që këtë të diel, në mënyrë masive, të dilni në vendvotime dhe të përcaktoni vetë se kush do t'ju prijë në qytetet tuaja gjatë katër vjetëve të ardhshëm".


Mosdalja në zgjedhje, sipas presidentit Sejdiu, automatikisht na e heq të drejtën e kërkimit të llogaridhënies nga ata që do të marrin mandatin për të qeverisur komunat tona, andaj ai i ftoi qytetarët të marrin pjesë aktive në këtë proces të rëndësishëm dhe me anë të votës së lirë të japin kontribut të drejtpërdrejtë për mënyrën dhe cilësinë e qeverisjes në komunën e tyre.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›