Zgjedhjet e pjesshme, votohet për pesë njësitë vendore
TIRANË- Proces normal, por pjesëmarrje e ulët në votimet e pjesshme në Shqipëri. Kjo është ajo çfarë raportohet deri tani nga qendrat e votimit për zgjedhjet në 5 njësitë vendore, në minibashkinë numër 10 në Tiranë, Bashkinë e Klosit në Burrel, komunën Otllak në Berat, bashkinë Fushë Arrëz dhe komunën Fierzë.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Olli qendrat e votimit për zgjedhjet e pjesshme janë hapur në orën 07:00 dhe deri tani nuk është shënuar asnjë incident. "Nuk ka pasur shqetësim deri tani për shkak se njësitë vendore kanë qenë të pakta. Edhe për shkak të përgatitjes së KQZ-së",- tha ai.
Sipas tij, janë shpërndarë të gjithë punonjësit si dhe specialistë të KQZ-së që po ndjekim hap pas hapi këtë proces zgjedhor. Lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, ai pranoi se është ende herët për të folur për pjesëmarrje të ulët apo të lartë, pasi janë vetëm orët e para të mëngjesit. "Presim që ora 10:00-13:00 të jetë koha kur do jetë fluksi në votime. Pasdite mund të kemi një numër të përafërt të pjesëmarrjes", tha ai.
Në këto zgjedhje do të përballen në një garë pothuajse formale kandidatët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, parti të cilat bashkëqeverisin vendin falë krijimit të koalicionit qeveritar paszgjedhor. Ndërsa partia më e madhe opozitare në vend, Partia Socialiste, nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, duke i bojkotuar ato me justifikimin se ato janë thjesht vazhdim i zgjedhjeve të 28 Qershorit, për të cilat ajo vazhdon të protestojë dhe bojkotojë Kuvendin duke kërkuar hapjen e kutive për të bërë transparencën.
Partia tjetër opozitare, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve por vetëm me anëtarë komisionesh por pa kandidatura për kryetar komunash dhe bashkish.
Në garë
Në Tiranë, në minibashkinë numër 10 në garë për vendin bosh të lënë nga Gerti Bogdani, janë Blendi Fuga I PD-së, dhe Gjergj Thomai I LSI-së.
Në Bashkinë e Klosit dhe në Burrel në garë janë kandidati I PD-së Ramazan Mjeshtri dhe Xhevdet Reci I LSI-së.
Në Fushë Arrëz janë hapur 6 qendra votimi. Kandidatët në garë janë Alfred Cafaj I PD-së dhe Dedë Gjergji i LSI-së.
Në Berat votohet në komunën Otllak. Kandidatët janë Muhamet Hoxha I PD-së ,Nasif Naso i LSI-së dhe një kandidat nga Partia e Punës së Riorganizuar.
Në komunën e Fierzës, kandidatë janë Gjelosh Pepkolaj, i PD-së dhe Mehmet Ponari i LSI-së.