Kosova/Në dhjetor seancat në Hagë për ligjshmërinë e pavarësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ka vendosur që në datën 1 dhjetor të fillojë seancat e dëgjimeve publike për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjykata do të ftojë të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë Beogradin e Prishtinën për të paraqitur argumentet mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Zyrtarë të Gjykatës thanë se 36 vende kanë paraqitur kumtesat e tyre me shkrim, përfshirë këtu edhe vetë autoritetet në Kosovë. Mediat kosovare shkruajnë se nga mesi i muajit korrik, skadoi afati i dorëzimit të dokumenteve shtesë për Kosovën. Gjykata, që vitin e kaluar u autorizua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të vlerësuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pritet të marrë një vendim, deri nga mesi i vitit të ardhshëm. Vendimi i saj thuhet se nuk obligon asnjë nga shtetet, megjithëse analistët vlerësojnë se do të mund të ndikonte në njohjet e reja për Kosovën.