E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk është cenuar asnjë milimetër nga hapësira territoriale detare e Shqipërisë

Qeveria ndal histerinë e Edvinit, duke konfirmuar ujrat me Greqinë u ndanë sipas konventave ndërkombëtare. Përfaqësues të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes sqaruan dje zyrtarisht modalitetet e marrëveshjes së nënshkruar me Greqinë, duke theksuar se procedura kryhej për herë të parë dhe u mundësonte shfrytëzimin e pasurive në nëntokën nënujore

TIRANE - Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes deklaruan dje se “nuk është cënuar asnjë milimetër nga hapësira territoriale detare e vendit tonë, si pasojë e marrëveshjes së nënshkruar dy ditë më parë me shtetin fqinjë, Greqinë”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Drejtoresha e Drejtorisë Juridike dhe e Traktateve Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, Ledia Hysi dhe Komandanti i Flotës Detare të Republikës së Shqipërisë, Kristaq Gërveni, deklaruan se “çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër”.
Duke marrë shkas nga pasaktësitë, keqinformimi dhe interpretimet e bëra gjatë ditëve të fundit në ndonjë organ të shtypit, Hysi deklaroi se “përcaktimi i kufirit detar me Greqinë është bërë duke u bazuar tërësisht në metodat bashkëkohore të përcaktimit të kufirit detar, si dhe mbi parimet që respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi dhe është plotësisht në konformitet me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit”.
Hysi ka sqaruar më tej se “Shqipëria nuk ka dhënë dhe as ka marrë asnjë milimetër katror të hapësirës së saj territoriale, si rezultat i kësaj marrëveshje”.
“Metodat e matjes që janë përdorur në këtë rast, janë përdorur në të gjitha rastet kur shtetet përcaktojnë kufijtë detarë ndërmjet tyre”, bëri të ditur Hysi.
Drejtoresha Juridike dhe e Traktateve Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, Ledia Hysi, sqaroi se “baza juridike për përcaktimin e kufijve detarë dhe shelfit kontinental gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit, (e njohur ndryshe si Konventa e Montego Bay, sipas emrit të vendit ku u përfundua në vitin 1982), e cila ka hyrë në fuqi me 16 nëntor 1994”.
Duke vijuar më tej, Hysi tha se “Parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare, është ai i baraslargësisë, pra përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare”.
Ndryshe nga sa është bërë e njohur në media, Drejtoresha Juridike në Ministrinë e Jashtme tha se “Për caktimin e kufirit detar janë respektuar neni 5, 7, 10 dhe 15 i Konventës për të Drejtën e Detit. 150 koordinatat e përcaktuara, të cilat, të bashkuara në një vijë të pandërprerë, caktojnë kufirin detar mes dy vendeve dhe janë absolutisht të baraslarguara nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend”, tha ajo. Ekspertja juridike e Ministrisë së Jashtme sqaroi se ka dy mënyra për përcaktimin e kufijve. “Mënyra e parë është delimitimi, që është përcaktimi me vijë të përgjithshme ose me koordinata, dhe mënyra e dytë është ajo e demarkacionit, që ka të bëjë me vendosjen e shenjave dalluese dhe përdoret në tokë. Koordinatat e sakta dhe hartat duhet të deklarohen në OKB dhe vetëm atëherë janë zyrtare, të ligjshme dhe të zbatueshme”, tha Hysi.
Ndërsa, Komandanti i Flotës Detare të Republikës së Shqipërisë, Kristaq Gërveni, u shpreh se “një shteti i lind e drejta që të shfrytëzojë si pikë referimi për të ndarë sipërfaqen ujore, qoftë edhe një shkëmb të dalë mbi sipërfaqen e ujit”.
Komandanti Gërveni e vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje si një sukses të qeverisë, duke sqaruar se nënshkrimi I kësaj marrëveshjeje “ndihmon për kryerjen e detyrave në det, si për mbrojtjen e vendit, ashtu edhe për zbatimin e ligjit nga njerëzit që veprojnë në det, për të mos krijuar konflikte të panevojshme”.
Komandanti i Flotës Detare, Kristaq Gërveni bëri të ditur se mbi bazë të kësaj marrëveshje “Shqipërisë i lind e drejta për të shfrytëzuar pasuritë e nëntokës, si nafta dhe gazi, të cilat nuk mund të shfrytëzoheshin më parë, pa pasur marrëveshje me vendet fqinjë që lagen nga i njëjti det”.
Referuar Konventës për të Drejtën e Detit, Komandanti Gërveni sqaroi se “Greqia është palë në Konventën për të Drejtën e Detit, nga  21 korriku 1995, ndërsa Shqipëria që nga data 23 qershor 2003”. Referuar Konventës, Gërvenit sqaroi se “Duke qenë të dy vendet palë në këtë traktat ndërkombëtar, janë të detyruara sipas nenit 83 të Konventës, që të përcaktojnë me marrëveshje, mbi bazat e ligjit ndërkombëtare, kufirin e shelfit kontinental”.
Marrëveshja “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare”, mes Shqipërisë dhe Greqisë u nënshkrua gjatë vizitës që Kryeministrit grek, Kostas Karamanlis në Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›