E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët në udhëheqje

Udhëheqësit e pranisë së Bashkimit Europian në Kosovë, Pieter Feith dhe Yves de Kermabon kanë deklaruar të martën në Bruksel se udhëheqës të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë autoritetet e Kosovës.

Ata kanë folur për zhvillimet e fundit në fushën e sundimit të ligjit dhe kanë përmendur Kryeministrin Hashim Thaçi për sjellje konstruktive, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

Feith dhe Kermabon kanë raportuar për gjendjen në Kosovë dhe punën e EULEX’it para ambasadorëve në Këshillin për Politikë dhe Siguri të Bashkimit Europian.

Ata janë fokusuar në situatën aktuale në Kosovë dhe për masat që po i ndërmerr EULEX-i, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndryshe, Bashkimi Europian ka vendosur për zgjatjen e mandatit të misionit EULEX në Kosovë, deri në vitin 2012. Kjo u bë gjatë qëndrimit në Bruksel të përfaqësuesve të BE’së, Feith dhe Kermabon.

Duke folur para gazetarëve, Piter Feith tha se pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pret “rritje të konsiderueshme” të numrit të njohjeve të Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, mendimi i gjykatës do të jetë “i përzier”.

”Unë po punoj në supozimin se vendimi gjerësisht do të japë një lloj rehatie për pozicionin e Beogradit dhe një lloj mbështetjeje për pozicionin e Kosovës. Pra, do të jetë një tërësi e përzier e konsideratave”, tha Piter Feith, duke folur para gazetarëve në Bruksel, pas takimit të tij me ambasadorët e BE’së.

Ai, më tutje, foli edhe për pjesën veriore të Mitrovicës, duke synuar t’i sigurojë liderët lokalë në këtë qytet, se dëshirat e tyre do të respektohen.

”Çfarëdo përpjekjeje që i përket Veriut, në mënyrë kritike, varet nga pranimi lokal. Prandaj, populli në Veri nuk duhet të ketë çfarëdo ndjenje të frikësimit ose kërcënimit”.

“Ne dëshirojmë që Veriun ta mbajmë stabil, por Veriu është pjesë e përgjithshme e hapësirës që do të lëvizë më afër ndaj Bashkimit Evropian. Nuk duhet të përfundojë si konflikt i ngrirë”, theksoi Piter Feith.

Feith ka theksuar se është kundër ndarjes së Kosovës dhe vendi është një shtet i qëndrueshëm në rrugë për t’u bërë demokraci shumetnike.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, shefi i Misionit të BE’së, Yves de Kermabon ka bërë të ditur se para përfundimit të këtij viti do të largohet nga ky mision. Ish-gjenerali francez ka shtuar se nëse Brukseli gjen një zëvendës për të, ai do të lartohej nga Kosova edhe më herët.

Shefi i EULEX’it është takuar në Bruksel edhe me të ashtuquajturin ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic. Sipas medieve serbe, ministri serb është ankuar për sigurinë e serbëve në Kosovë dhe për zbatimin e mandatit të EULEX’it. Bogdanovic ka kërkuar koordinim dhe bashkëpunim më të mirë të Misionit të BE’së me organet shtetërore të Serbisë.

“Serbia është e gatshme që në mënyrë pragmatike dhe konstruktive të vazhdojë bashkëpunimin, por nuk do të pranojë vendime të njëanshme dhe krijim të balancave artificiale mes Veriut dhe Jugut në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›