E Shtunë, 31 Tetor 2026

Detyra jonë

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit duhet të bëhet nga institucionet e drejtësisë së vendit.

Këtë porosi Sejdiu e ka shpalosur të martën gjatë një vizite në Gjykatën Supreme, ku ka thënë se juristët e vendit e dinë se çka duhet bërë për interesat nacionale.

“Fenomenet e këqija siç është korrupsioni, nuk mund të luftohen nga askush tjetër. Janë këta që duhet ta bëjnë, pra janë njerëz që janë drejtpërdrejt përgjegjës për zbatim të mirë të ligjit dhe për këtë do të ekzistojë përkrahja”, ka thënë Sejdiu.

Në këtë mënyrë, numri një i vendit në mënyrë të prerë i është bashkuar qëndrimeve të Kryeministrit Thaçi, i cili disa ditë pas ndërhyrjes së EULEX’it në Ministrinë e Transportit, kishte deklaruar se institucionet e vendit janë ato që duhet t’i prijnë këtij procesi. Kjo është kritikuar nga opozita në vend, e cila kreun e Qeverisë e sheh si shkaktarin kryesor të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Duke folur para kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, Sejdiu ka rikujtuar se ky institucion është i pavarur.

“Ju kam thënë se edhe ky institucion është shtyllë e pavarur nga politika dhe se janë të thirrur që në mënyrën më të mirë të bëjnë zgjedhjet e lëndëve në bazë të ligjit dhe të jenë jo vetëm kultivues, por edhe zbatues të ligjit në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka theksuar ai.

Kreu i shtetit, i cili është jurist me profesion, nuk ka kursyer lëvdatat për profesionistët të kësaj fushe që punojnë në drejtësinë kosovare.

“Ndihem shumë i kënaqur që ky ekip që ka marrë mandatin për të udhëheqë edhe gjykata, janë një pjesë e elitës së përzgjedhur të juristëve të mirë të Kosovës, që dinë shumë mirë se çfarë duan për vendin, për interesin e tij nacional dhe për krijimin e kushteve më të mira të mundshme dhe të përputhshme me sistemin gjyqësor”, ka thënë Sejdiu.

Po ashtu, ka premtuar që gjykatat të mos heqin keq as për buxhet.

“Unë nuk jam njeri që prodhoj para, por do të jem njeri që do të angazhohem maksimalisht që institucionet e vendit që vendosin për buxhetin që të jetë një trajtim i mirë sikur në vendet e rajonit, në mënyrë që të krijohen kushte më të mira për punë”, ka thënë Sejdiu.

Lufta antikorrupsion e nisur nga EULEX’i me ndërhyrjen e këtij misioni në Ministrinë e Transportit tashmë është duke dominuar në diskursin publik në vend.

Tashmë është bërë e ditur se 111 raste janë duke u hetuar nën dyshimet për korrupsion dhe krime të tjera.

Presidenti Sejdiu nuk ka pranuar të bëjë komente specifike rreth kësaj teme, e as rreth arrestimeve të mundshme.

“Nuk merrem unë me këtë qasje. Ata që merren me këtë punë janë organet e ndjekjes penale. Presidenti nuk merret me ndjekje të askujt”, ka thënë Sejdiu.

“Unë asnjëherë nuk flas me shifra dhe kam bindjen se ligji duhet të zbatohet. Ligji është mbi të gjithë. Sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor duhet të bëjnë punën e tyre që të jepet e drejta tamam si drejtësi në zgjedhjen fondamentale në bazë të parimeve që ka drejtësia për secilën lëndë veç e veç. Por kur është prezenca e fenomeneve negative, njerëzit duhet të merren me këtë dhe ta luftojnë atë”, ka shtuar ai.

Duke u përgjigjur rreth dënimeve të mundshme për rastet e dyshuara, Sejdiu ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë asgjë.

Në këtë kontekst ai ka përmendur edhe bashkëpunimin me EULEX’in në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Unë nuk flas me paragjykime. Me rëndësi për mua është që drejtësia ta bëjë të veten dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet në bazë të ligjit dhe të dokumentojnë. Në drejtësi ekziston një parim më sill faktet, ndaj drejtësinë dhe pa paragjykim duhet të jetë epilogu i çdo nisme që është nga ana e gjyqësorit me bashkëpunimin që ka me EULEX-in”, ka thënë ai.

Kreu i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, pas këtij takimi ka pranuar të metat me të cilat përballet gjyqësia kosovare duke thënë se Sejdiu ka ofruar mbështetje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›