Kosovari Bajrami eliminon Serbinë
Mesfushori kosovar, Emir Bajrami, ishte ndër më të mirët në fitoren e Përfaqësueses U-21 të Suedisë kundër Serbisë. Ndeshja e zhvilluar të martën mbrëma në Malmo, përfundoi me rezultat 3-1. Me këtë fitore Suedia u kualifikua në gjysmëfinale të Evropianit të Shpresave që po mbahet në Suedi. Në gjysmëfinale, të premten, Suedia do të ndeshet me Anglinë. Bajrami asistoi në golin e parë të Suedisë, siguroi penalltinë, përmes së cilës Suedia kaloi në epërsi 2-0 dhe bëri të mundur që suedezët në pjesën e dytë të luajnë me një futbollist më shumë në fushë. Për shkak të një ndërhyrje të palejuar ndaj Bajramit, futbollisti serb, Tomoviç, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua në minutën e fundit të pjesës së parë. Edhe kartonin e parë Tomoviç e kishte marrë pas një ndërhyrjeje ndaj Bajramit. Pas ndërhyrjes së dytë ndaj Bajramit u krijua një rrëmujë në të cilën u përfshinë shumë futbollistë të dy skuadrave. Me këtë rast edhe Bajrami u ndëshkua me karton të verdhë. “Ata më kanë provokuar gjatë gjithë takimit, më kanë fyer me shprehje raciste. Provokimet e tyre kanë vazhduar edhe rrugës për në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të pjesës së parë”, ka thënë Bajrami.