E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja gjunjëzohet para murit amerikan

 

SHBA-ja vazhdon të përjetojë një ëndërr mjaft të bukur. Mrekullia amerikane ka pushtuar Kupën e Konfederatave. Pas një kualifikimi surprizues në gjysmëfinalet e kompeticionit, ata kanë treguar se janë të aftë të arrijnë më shumë. Përballë skuadrës më në formë të momentin, Spanjës, ata kanë qenë të jashtëzakonshëm. Ekipi i trajnerit Bob Bredli fitoi me rezultatin 2-0, duke i dhënë fund serisë prej 35 ndeshjesh pa humbje të kampionëve të Evropës. Ka qenë Xhozi Altidor ai që shënoi golin e avantazhit për amerikanët, pikërisht në minutën e 27-të, duke çarë me forcën mbrojtjen kundërshtare dhe duke mundur portierin Kasijas. Djemtë e Del Boskes e rritën forcën sulmuese, por rezultati nuk ndryshoi për pjesën e parë. Në 45 minutëshiun e dytë, pritej që iberikët të ndryshonin shifrat. Në fakt, ata krijuan mjaft raste për shënim, por fati i keq dhe ndërhyrjet në momentin e fundit e shpëtuan SHBA-në nga pësimi i golit. Për më tepër, në të 74-ën, ka qenë Dempsi ai që përfitoi nga situata e krijuar, për të shënuar edhe golin e dytë, i cili i dënoi akoma më shumë moralisht spanjollët. Një fitore që tregoi se nuk ka skuadra të pamposhtshme në futboll. Edhe pse pritej që kampionët e Evropës të kryenin formalitetin në këtë përballje, ka ndodhur krejt e kundërta. Tashmë, amerikanët do presin që të njohin edhe kundërshtarin e finales, qëdo jetë fituesi mes sfidës Afrika e Jugut-Brazil.

Spanjë – SHBA    0-2

Golat: Altidor 27’, Dempsi 74’
Spanja (4-4-2): Kasijas, Ramos, Pike, Pujol, Kapdevila, Fabregas (Kazorla 68’), K.Alonso, Ksavi, Riera (Mata 78’), Vila, Torres
Trajner: Visente Del Boske
SHBA (4-4-2): Houard, Spektor, Onjevu, Bokanegra, Demerit, Dempsi (Bornstein 88’), Klark, Bredli, Donovan, Dejvis (Feilhaber 69’), Altidor (Kejsi 83’)
Trajner: Bob Bredli
Kartonë të verdhë: Kapdevila, Pike / Donovan, Altidor
Karton të kuq: Bredli
Spektatorë: 35.369
Arbitër: Horge Larrionda

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›