E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovari kërkon 100 mijë për 2 muaj burg pa të drejtë

10/04/2012  U akuzua për vrasjen e argjendarit, autori është Gushi

Të paktën 100 mijë euro kërkon nga shteti shtetasi kosovar Nexhat Mulaj, që u arrestua gabimisht nga policia për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj. Ndërkaq, për këtë ngjarje të rëndë rezultoi si autor Viktor Gushi, personazhi që tronditi kryeqytetin, i akuzuar edhe për vrasjen e arkëtares Leonora Kaloçi, si dhe 16 grabitje. Por nga ana tjetër Mulaj i kërkon shtetit shqiptar 100 mijë euro dëmshpërblim për dy muajt e qëndrimit të tij të padrejtë në burg. Avokatët e kosovarit e kanë depozituar kërkesën për dëmshpërblim në gjykatën e Tiranës, ndërsa shprehen se nëse nuk do të marrin përgjigje, do ta ndjekin çështjen e klientit të tyre deri në Strasburg. Avokati shprehet se klienti i tij ka pësuar traumë pas qëndrimit prej 30 ditësh në burg, por edhe bashkëshortja e tij kishte dështuar fëmijën kur mori vesh se Mulaj do të qëndronte edhe 1 muaj tjetër pas hekurave. Kështu, avokati Ndue Pjetra thotë se, “Pas kësaj situate ai ka pësuar shumë disfata, e shoqja ka humbur fëmijën dhe fëmija i ka humbur pas 30 ditëshit të parë. Ne do kërkojmë 100 mijë euro dëmshpërblim dhe ky dëmshpërblim ka zanafillën tonë nga dëmi moral. Vetë doktorët e kanë shprehur se ky dështim ka ardhur si rezutlat i ndalimit të të shoqit. Ne do ta ndjekim deri në Strasburg dhe ata nuk do e lënë pa dhënë dënimin e drejtë, atyre që u takon”. Ndërkaq, vetë Mulaj në një intervistë në media para disa ditësh ka shprehur habi rreth arrestimit, si dhe ka pretenduar gjithmonë pafajësinë. Gjykata e Tiranës e liroi Nexhat Mulajn, për mungesë provash, pasi kishte vuajtur 2 muaj dënim me burg. Gjykata kishte argumentuar se Prokuroria nuk kishte paraqitur ndonjë provë bindëse që ta mbante në qeli 27-vjeçarin. Tetorin e kaluar ai ishte identifikuar nga një dëshmitar si autori i vrasjes së pronarit të argjendarisë gjatë një tentativë grabitjeje, por më vonë rezultoi se autori i vërtetë ishte Viktor Gushi. Madje Gushi rrëfeu gjithë dinamikën e ngjarjes, duke treguar me detaje se si e kishte vrarë argjendarin. Tashmë dosja e vrasjes cilësohet si e mbyllur, me autor dhe me prova, ndërsa Mulaj është mbajtur pa të drejtë për dy muaj në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›