E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarja kthehet te ish-skuadra e saj

Linkoping, 6 gusht - Mesfushorja Kosovare Asllani është rikthyer në radhët e ish-skuadrës së saj ,Linkopings FC, nga skuadra amerikane Chicago Red Stars, njoftoi faqja zyrtare e skuadrës suedeze të premten. Arsye për rikthimin e 21-vjeçares është fakti se Chicago e ka të vështirë të sigurojë plejofin në Ligën profesioniste të futbollit në SHBA dhe do t'i shkonte gjithë vjeshta pa luajtur. Mesfushorja kosovare pritet të luajë për Linkopingsin nga 15 gushti. Reprezentuesja e Suedisë, Asllani, është pajtuar me Chicagon që të gjejë një skuadër tjetër për pjesën vjeshtore. Ish-skuadra e Asllanit ka qenë më e interesuara për të dhe ia ka dalë ta kthejë mesfushoren.
"është pak qesharake që jam kthyer në Linkopings pas një stinori në SHBA. Atje kam fituar mjaft përvojë. Shikoj tash përpara të ndihmoj skuadrën si në ligë ashtu edhe në Ligën e Kampionëve", ka thënë Asllani.
Asllani ka firmosur me Linkopingsin deri në fund të vitit 2010, por është ende e paqartë se a do të kthehet më në SHBA.
"Vitin e ardhshëm është Botërori në Gjermani dhe jam e fokusuar shumë që të jem maksimalisht e përgatitur. Dyert i mbaj të hapura sa i përket të ardhmes", ka thënë Asllani.
Skuadra Linkopings ka përshëndetur rikthimin e reprezentueses së Suedisë.
Asllani në stinorin e fundit në SHBA ka shënuar dy gola në 13 ndeshje dhe ishte shpallur lojtarja më e mirë e javës në fillim të qershorit. Liga e SHBA-së është më e forta në botë për futbollin e femrave.
Ajo ka edhe 24 ndeshje me Përfaqësuesen e Suedisë, ka shënuar katër gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›