Kosovë, Beqaj: Sfidat e ministrisë së Integrimit
Në kuadër të ndryshimeve që janë bërë në Qeverinë e Kosovës ku janë ndërruar gjashtë ministra, tre nga secili partner i koalicionit, është krijuar edhe ministria më e re, ajo e Integrimeve.
Krijimi i kësaj ministrie është vlerësuar si një hap i rëndësishëm i qeverisë së Kosovës, kjo edhe për shkak se Kosova, ka mbetur pothuaj jashtë gjithë proceseve integruese të Bashkimit Evropian, duke përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave.
Në krye të kësaj ministrie është zgjedhur Besim Beqaj, i cili deri më tani ka qenë kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Zoti Beqaj në një intervistë për BBC-në ka thënë se para tij dhe ministrisë që ai drejton, ka sfida të shumta dhe se personalisht e ka marrë detyrën në një kohë aspak të favorshme për Kosovën, kjo në raport me proceset integruese evropiane.
Ministri Beqaj ka deklaruar se ndër prioritetet e ministris së re do të jenë, integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe pret që në këtë proces të ketë mbështetje të fortë politike.
"Sigurisht, Ministria për Integrime do të ketë aktivitet të ngjeshur, do të ketë shumë sfida. Procesi i integrimit është proces kompleks, i cili kërkon bashkërendim të aktiviteteve politike dhe vendore të institucioneve ndërkombëtare," deklaroi Besim Beqaj.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që është lënë jashtë procesit për liberalizimin e vizave me BE-në.
Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit për këtë çështje janë paralajmëruar se mund të fillojnë këtë vit, ndërkohë që autoritetet e Kosovës kanë thënë se po punojnë në përmbushjen e disa kritereve teknike.
Për ministrin e Integrimeve, Besim Beqaj përfshirja e Kosovs në listën e bardhë të Shengenit do të jetë një nga punët më sfiduese të kësaj ministrie.
"Janë çështje që duhet të adresohen edhe në aspektin teknik, pra përgatitja nga ana e institucioneve si në nivelin teknik, ashtu edhe në atë politik, në nivelin e tërësishëm qeveritar," thotë ai.
Besim Beqaj vjen në krye të Ministrisë së sapoformuar të Integrimeve pas një përvoje disavjeçare si koordinator për Kosovën i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe Odës Ekonomike.