E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosove, Thaçi "rifreskon" kabinetin qeverisës

PRISHTINE- Dy partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë thonë se kanë rënë dakord për fillimin e vlerësimit të punës së kabinetit qeveritar, që do të çonte drejt ndryshimeve në qeveri. Nuk ka ende një plan të qartë nëse ndryshimet në qeverinë e Kosovës do të mund të bëhen së shpejti, por partnerët e koalicionit qeverisës thonë se bisedimet për lëvizje brenda kabinetit qeveritar kanë hyrë në një fazë përfundimtare. Zyrtarë të PDK-së thonë se i mbetet kryeministrit Hashim Thaçi që ta përcaktojë dinamikën e ndryshimeve brenda qeverisë, që sipas tyre janë të domosdoshme. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, tha se edhe Kuvendi i Kosovës është i interesuar që gjithçka të bëhet mbi bazën e një interesi të një qeverisje dhe të një cilësie të re të qeverisjes në Kosovë. "Qeverisja në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, pasi është thënë edhe nga vetë kryeministri se do të bëhet riformatizimi, ka nevojë për një qeverisje dhe një kualitet të shtuar", - tha Krasniqi. Por ndërkohë, partneri më i vogël në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike, thotë se ndryshimet në qeveri janë të vonuara dhe ato duhet të ndërlidhen drejtpërdrejt me angazhimet konkrete të të gjithë kabinetit qeveritar dhe me paraqitjen e tyre. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i tha 'BBC'-së se ka pasur pak përparime në disa fusha, në veçanti në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga programi qeveritar. "Edhe më tutje mbetet problematike shtylla e sundimit të ligjit, dhe për ne sundimi i ligjit nënkupton edhe drejtësinë, edhe policinë dhe sektorë të tjerë që janë të ndërlidhur drejtpërdrejtë… Mbetet gjithashtu problematike lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pastaj, menaxhimi i kufirit dhe mospërfshirja e Kosovës në 'listën e bardhë' të BE-së dhe në proceset e integrimeve evropiane", - tha Haziri. Ndryshimet në qeverinë e Kosovës u përmendën në periudhën e zgjedhjeve lokale dhe përplasjes së fuqishme mes dy partnerëve të qeverisë, kur u paralajmërua edhe prishja e koalicionit. Por, megjithatë, asnjëra nga partitë në pushtet nuk pranoi të fliste konkretisht se cilat do të mund të ishin ndryshimet dhe çfarë nënkuptojnë ato. Zyrtarë të qeverisë thanë se pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve lokale, që janë zgjatur deri nga mesi i këtij viti, do të mund të fillojë procesi i vlerësimit të punës së kabinetit qeveritar, hap të cilin thuhet ta kenë mbështetur edhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë. Por, opozita ka shfaqur dyshime në, siç thotë, angazhimin e partnerëve të koalicionit dhe ka deklaruar se ndryshimet e përfolura janë vetëm përpjekje për të zgjatur mandatin e qeverisë aktuale. Edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e ka mbështetur idenë e Kryeministrit Hashim Thaçi për ndryshimet në kabinetin qeveritar. "Kuvendi i Kosovës nuk do të përzihet në çështjen e ndryshimeve të paralajmëruara në Qeveri. Kryeministri i Kosovës, sipas Kushtetutës, ka të drejtë ta bëjë riformatizimin e Qeverisë. Ne si Kuvend, si deputetë, por edhe si përfaqësues të pozitës, dëshirojmë që gjithçka të bëhet mbi bazën e një interesi të një qeverisje dhe të një kualiteti të ri të qeverisjes në Kosovë", tha Krasniqi. Ai tha se nuk dëshiron të përmendë emra të ministrave, por siç tha ai, qeverisja në Kosovë sipas të gjitha gjasave, pasi është thënë edhe nga vet kryeministri, ka nevojë për ndryshime.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›