E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, nga sot mbyll dyert për familjarët e të sëmurëve

TIRANE- Spitalet mbyllin dyert për të afërmit e të sëmurëve. Duke filluar që nga dita e sotme, asnjë nga familjarët nuk do të lejohen të futen në ambientet e brendshme të Qendrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza” për të parë të sëmurët, përveç disa orëve të caktuara.

Një urdhër i ri, i cili është firmosur nga kreu i QSUT-së, Ilir Dashi, është afishuar në të gjitha hyrjet e pavijoneve. Në urdhrin e ri citohet se familjarët e pacientëve apo të afërmit do të lejohen të futen tek i sëmuri me orare të përcaktuara, konkretisht çdo ditë nga ora 17:00 deri në 19:00, dhe ditën e diel me një orar paradite nga ora 10:00 deri në 12:00. Do të jetë policia private, e cila nuk do të lejojë qarkullimin e vizitorëve jashtë këtyre orareve. Urdhri parashikon të lejohen jashtë këtyre orareve personat që kanë leje-hyrje të firmosur nga drejtuesi i shërbimit dhe kryeinfermieri. Pajisja me leje-hyrje për qëndrimin jashtë orareve të vizitorëve vlen edhe për rastet kur familjarët lejohen të qëndrojnë gjatë gjithë 24-orëshit, si për shembull prindërit e fëmijëve të shtruar, por jo më shumë se një familjar i autorizuar.

Një tjetër masë e drejtorisë së QSUT-së është moslejimi i kryerjes së vizitave dhe konsultave ambulatore në ambientet spitalore me shtretër, si nga shefat e shërbimeve ashtu edhe nga personeli. Konsultat ambulatore të kryhen vetëm në vendet dhe oraret e përcaktuara, ashtu siç i parashikon sistemi i referimit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›