Prifti Kçira u kërkon falje shqiptarëve
Prifti katolik i shumëpërfolur ditëve të fundit për akuzuat ndaj shqiptarëve, Anton Kçira, ka kërkuar falje përmes një letre publike. “Në kohën që kam mbajtur fjalimin para tre vjetëve, unë isha i nevrikosur...shumë i nevrikosur me mungesën e përgjigjes së komunitetit shqiptar dhe kosovar kundrejt kriminelëve, të cilët planifikuan të vrasin ushtarët amerikanë në Fort Dix të New Jersey-t”, thuhet në letrën e tij. “Duke bërë këtë, unë përdora disa fjalë të gabuara...përdora shembuj të këqij...përshkrova viktima masakre me emra provokues. Kjo nuk ishte e drejtë. Me vjen thellësisht shumë keq për ato fjalë që kam përdorur dhe për dhimbjet që fjalët e mia kanë shkaktuar. Ai ishte nervozizmi im që fliste, jo zemra ime”, ka thënë prifti katolik. Ai ka shtuar se ka kultivuar vazhdimisht marrëdhëniet e mira ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve dhe është lutur të mos lëndohen këto marrëdhënie me ato që ka thënë. “Unë besoj së shpërthimi i nervozizmit, për të cilin jam penduar, nuk do të pakësojë projektet të cilat komunitetet tona besimtare kanë mbështetur”, përfundon letra e priftit. Disa ditë pas sulmit të dështuar terrorist të vëllezërve shqiptarë nga Maqedonia në SHBA, më 2007, prifti Kçira kishte shpërthyer, duke i akuzuar shqiptarët si jo falënderues ndaj SHBA-së.
#