Kosovë- debate ne Kuvend per 100 ditet e qeverisjes Thaci
Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar një seancë plenare, ku presidenti Fatmir Sejdiu prezantoi një informatë për gjendjen e përgjithshme, ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi paraqiti informatën e punës së qeverisë dhe programin qeverisës. Më pas seanca është përshkuar dhe me debate të shumta ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kosova ka kaluar testin e saj të parë si shtet i pavarur e sovran, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu para Kuvendit dhe opinionit. Sejdiu tha se deri më sot, Kosova është njohur nga 37 vende, përfshi edhe 7 shtete nga G-8-si. Si shtet i ri, Kosova, sipas Sejdiut do të jetë vend i të gjithëve, dhe do të jetë shtet i hapur për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, sidomos me fqinjët e saj. Në këtë aspekt, Sejdiu tha se shteti fqinj Serbia tenton të organizojë zgjedhje të lira në Kosovë, por Kosova, shtoi ai, nuk mund të jetë qendër votimi e asnjë vendi tjetër. Ai tha se Kosova do të jetë vend demokratik dhe i zhvilluar ekonomikisht. Më pas, pjesa e dytë e seancës i është kushtuar punës së qeverisë gjatë 100 ditëve të para të saj dhe programit qeverisës. Pozita dhe opozita, kanë ndarë mendime krejtësisht të kundërta lidhur me programin e qeverisë së Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se ky program mbështetet në katër shtylla, në rritjen ekonomike, implementimin e statusit, qeverisje të mirë dhe zbutje të varfërisë. Sipas Thaçit, ky program i siguron Kosovës zhvillim dhe mirëqenie, duke garantuar të drejta për komunitete dhe zhvillim të kapaciteteve qeverisëse në Kosovën e pavarur. Qeverinë dhe programin e saj e kambështetur PDK-ja, parti kjo që udhëheq me ekzekutivin kosovar. Deputeti i PDK-së, Ramë Buja tha se, duke lavderuar punën e qeverisë, çdo ditë e më shumë po shihen përparime në Kosovë. Po ashtu, përkrahje qeverisë dhe programit të saj i ka dhënë dhe LDK-ja, parti kjo në koalicion me PDK-në. Ne emër të LDK-së, deputeti Lutfi Haziri tha se programi është i mirëndërtuar dhe shërben si bazë për një qeverisje të mirë e stabel. Mirëpo, pozita më pas ka hasur në kritika të ashpra të opozitës. Deputeti i AKR-së, Ibrahim Gashi tha se programi i qeverisë Thaçi është i ndërtuar mbi bazën e dëshirave e qëllimeve, por nuk ka askund mbulesë se si do të implementohen gjithë ato projekte kapitale. Me kritika të ashpra ndaj programit qeverises është paraqitur dhe deputeti i AAK-së, Ardian Gjini. Ai tha se qeveria, jo vetëm që nuk ka funksionuar për këto 100 ditë, por, sipas tij, ajo nuk ka as program të saj, pasi plani i paraqitur sot, shtoi Gjini i ngjan një plani të ndonjë organizate joqeveritare. Ndërkohë, Lulëzim Zeneli, deputet i LDD-së, e ka quajtur skandaloz programin e qeverisë Thaçi. Ai tha se sot po e sheh se kjo qeveri me të vërtetë po funksionon dhe punon 'ad hok' pa ndonjë bazë programore. Ndryshe, opozita ka kritikuar edhe organizimin e seancës së sotme, duke e parë atë si shumë të ngarkuar. Po ashtu, opozita ka kërkuar debat të veçantë vetëm për punën e qeverisë, por kjo nuk është mbështetur nga shumica, prandaj debati për programin qeverisës ka mbledhë në vete dhe komentet për punën e qeverisë. Që nga formimi i saj më 9 janar, kjo ishte hera e parë që qeveria e koalicionit PDK-LDK ka paraqitur punën dhe programin e saj para Kuvendit.
.