Kosovë, 18 barrikada janë vendosur në veri

Të shtëna armësh janë dëgjuar mbrëmë në afërsi të Urës së Ibrit në veri të Kosovës. Gjithë kjo ka ndodhur pasi serbët dolën rrugëve për të festuar fitoren e skuadrës serbe të kampionatit evropian në volejboll.
Situata ka kulmuar me provokime edhe ndaj trupave të KFOR-it dhe EULEX, mirëpo gjithçka ka kaluar pa ndonjë incident, njoftuan burimet e KFOR-it për mediat e huaja.
Por, edhe mëngjesi i sotëm ka gdhirë me barrikada që janë të vendosura në të gjitha pikat kyçe rrugore që çojnë drejt vendkalimeve kufitare Bërnjak dhe Jarinjë. Janë 18 barrikada që janë vendosur në të gjitha akset rrugore nëpër tërë zonën e veriut të Kosovës.
Serbët po organizojnë turne nëpër barrikada dhe janë të detyruar që të bëhen pjesë e tyre të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe vullnetarë nga qytetet e tjera serbe.
Krerët e komunave paralele serbe në veriun e Kosovës pas një takimi në Leposaviç deklaruan se për çdo barrikadë që do të hiqet nga KFOR, ata do të vendosin dy barrikada shtesë.
Edhe pavarësisht hapjes së pikës kufitare Jarinjë, serbët po shfrytëzojnë rrugët alternative për të hyrë në Kosovë. E përditshmja “Blic” shkruan sot se përveç rrugës alternative që KFOR kontrollon në fshatin Burim, të gjitha akset e tjera rrugore janë nën kontrollin e serbëve dhe se ata kanë gjërat elementare për jetesë, dhe marrin çdo ditë gazetat të ardhura nga Serbia.