E Diel, 1 Nëntor 2026

Papunësia në rritje, Maqedonia pas Kosovës e Bosnjes

Maqedonia radhitet pas Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës për shkallën e lartë të papunësisë. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) në Shkup, shkalla e papunësisë mbetet në të njëjtën pozitë gjatë viteve të fundit.
 

ESHS bën të ditur se nga të dhënat e tremujorit të dytë të këtij viti rezultojnë 31.3 përqind apo rreth 300 mijë të papunë.
Sipas ESHS-së, numri i personave që janë punësuar gjatë tremujorit të dytë të këtij viti është rritur për 2.5 përqind, ndërsa papunësia rezulton me ulje vetëm për 0.9 përqind në krahasim me vitin e shkuar, informon agjencia e lajmeve INA.
 

Në Kosovë shifrat janë më alarmante, pasi sipas institucioneve përgjegjëse qeveritare bëhet e ditur se në vend numërohen mbi 40 përqind të papunë.
 

Ndërsa sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura rezultojnë mbi 45 përqind. Në Bosnje - Hercegovinë gjithashtu shënohen shifra të larta të papunësisë.
 

Agjencia për Punë dhe punësim në Sarajevë ka raportuar rritje të papunësisë për rreth 1 përqind gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
 

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, papunësia është në nivelin e 43 përqindëshit në Bosnje - Hercegovinë.Pas Maqedonisë për nga shkalla më e ulët e papunësisë vjen Serbia me 22 përqind. Edhe në këtë vend është regjistruar shkalla e rritjes së papunësisë.
 

Serbinë e pasojnë Greqia me shifrat e fundit prej 16,6 përqind, mandej Kroacia me 16, 7 përqind.
Në Greqi regjistrohen shifra në rritje për papunësinë, për shkak se vendi është përfshirë nga kriza ekonomike dhe ndodhet një hap larg falimentimit.
 

Mali i Zi rezulton me numër të ulët të të papunëve, duke patur parasysh edhe numrin e ulët të banorëve që ka ky vend.
Sipas Entit të Statistikave në Podgoricë, numri i të papunëve është 11 përqind, me rritje të vogël në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas këtij enti, në listën e personave të papunë janë të regjistruar rreth 30 mijë banorë të këtij vendi të vogël.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›