E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove AAK jo koalicionit me Thacin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përfundimisht ka vendosur të mos hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Organizmat më të larta drejtuese të kësaj partie kanë propozuar një koalicion më të gjerë PDK-LDK-AAK ose në të kundërt kanë vendosur që të qëndrojnë në opozitë.
 
“Rrugëdalja më e mirë në rrethanat e sotme në Kosovë, është krijimi i koalicionit të gjerë midis PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, si mundësi e vetme për të tejkaluar situatën e rëndë në të cilën gjendet Kosova”, tha Besnik Tahiri, Anëtar i Kryesisë së AAK-së.
 
Krahas AAK-së edhe LDK dhe Vetëvendosja janë deklaruar kundër një koalicioni me kryeministrin e dorëhequr Hashim Thaçi. Vetëm AKR është gatshme të hyjë në koalicion me PDK-në me kushtin që President të jetë lideri i saj Behgjet Pacolli.

Në këtë situatë krijimi i qeverisë nuk duket aspak i lehtë pasi ndërkombëtarët janë shprehur për një qeveri stabile të përbërë nga tri parti shqiptare dhe minoritetet.
Analisti Muharrem Nitaj mendon se është momenti që liderët kryesor politik të ulen në tryezën e bisedimeve.
 
"Kosova ka nevojë urgjente që ta ketë qeverinë e saj sa më shpejt që të jetë e mundur sepse është në një pozicion aspak të favorshëm për shkak të raportit të Dik Martit dhe disa raporteve tjera, por edhe për shkak të kërkesës që Kosova të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë dhe t’i zgjidh çështjet e hapura dhe në këtë kuadër edhe statusin e pakicës serbe në veri”, tha Muharrem Nitaj, Analist Politik.
 
Krijimi i institucioneve do të jetë edhe tema kryesore në takimin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave që do të diskutojë për Kosovën.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›