E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, AKR-ja prish koalicionin me PDK-në

Drejtuesit e AKR-së përmes një deklarate për shtyp, kanë bërë të ditur se prishin koalicionin qeverisë me PDK-në, për shkak se, siç thuhet, është shkelur marrëveshja e arritur ndërmjet këtyre dy subjekteve politike.

Sipas mediave kosovare AKR-ja në këtë deklaratë thekson se kryesia e degës se AKR-së në Sharr, merr vendim që të prishë marrëveshjen e koalicionit me PDK-në, e cila qeverisë Kuvendin Komunal, pasi siç theksohet në komunikatë, “kjo e fundit ka shkelur marrëveshjen e koalicionit me AKR-në”.

“Prandaj, si kryesi e Degës, kemi vendosur që deri sa të mos arrihet një marrëveshje e re, ne përfundimisht do të jemi në opozitë”, thuhet në deklaratë. Aty lihet e hapur mundësia e një marrëveshje serioze, por jo në letër, siç është bërë deri më tani.

“N.q.se  kjo nuk arrihet, AKR-ja e ka ofertën tjetër, duke qenë se jemi afër arritjes së një marrëveshje për formimin e një koalicioni prej pesë delegatëve, ku ky koalicion do të funksionojë si grup parlamentar”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga sekretari i degës së AKR-së, njëherësh edhe këshilltar i vetëm i këtij subjekti politik në asamblenë komunale, Mujdin Jusufi.

Në lidhje me këtë, drejtuesit e PDK-së, nuk janë ndier shumë të shqetësuar, pasi siç janë shprehur, as që ka ekzistuar ndonjë marrëveshje e shkruar ndërmjet këtyre dy subjekteve.

Avni Nebiu, sekretar i Degës së PDK-së në Sharr, ka nënvizuar se “është e drejtë e çdo subjekti politik që të bëjë koalicion me kë të dëshirojë”.

“Me AKR-në as që kemi pasur ndonjë marrëveshje të shkruar, e as që na janë drejtuar ndonjëherë me ndonjë kërkesë, prandaj ata mund të vendosin ashtu siç mendojnë se është më mirë”, ka pohuar Nebiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›