E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, BE-ja akordon fonde në mbështetje të Trepçës

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë njoftoi sot përmbylljen me sukses të dy projekteve të financuara nga BE-ja në minierën e Stantërgut që i përket kompleksit të minierave të Trepçës në komunën e Mitrovicës.
Përmes fondit prej rreth 1.6 milion euro u kryen punime për stabilizimin e brendësisë së minierës, duke plotësuar hapësirat e zbrazëta të shkaktuara nga kërkimet e vazhdueshme të xeheve si dhe u siguruan pajisje për mbarëvajtjen e punës.
"Projektet që përfshinë ofrimin e kamionëve për transport të hirit atmosferik nga termocentrali i Korporatës Elektrike të Kosovës dhe instalimin e pajisjeve për përpunimin e tij do të rrisin në masë të konsiderueshme stabilitetin e minierës dhe do të përmirësojnë kushtet dhe ambientin e punës. Përveç kësaj, ato do të mundësojnë kërkimin e mëtejshëm të xeheve që do të shtojë prodhimin dhe do të krijojë vende të reje pune në të ardhmen", njoftoi Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë.
Këto projekte janë pjesë e programit të BE-së, me vlerë prej 5 milionë euro. Ky program ka ofruar mbështetje infrastrukturore për komunën e Mitrovicës dhe të Zveçanit (2.5 milionë euro), dy projekte në minierën e Stantërgut dhe një projekt për përtëritjen e rafinerisë së plumbit në Zveçan (1 milion euro).
Trepça është një minierë e lashtë plumbi, zinku, argjendi, kristaleve dhe mineraleve të ndryshme në Kosovë. Në kohën e shtetit Jugosllav, Trepça kishte shumë famë dhe ishte një ndër motorët e ekonomisë jugosllave.
Para luftës Trepça numëronte rreth 22 000 punëtorë. Produktet kryesore ishin xehet dhe koncentrati i plumbit dhe zinkut, plumbi i rafinuar dhe aliazhe te plumbit, argjend, ari, bizmut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra superfosfate, akumulatorë, bateri nikelkadmiumi, municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi,etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›