E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali/ Prokuroria nis hetimet për organizatorët e G8-ës

Një ish-zëvendës kryetar i Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Itali, i cili drejtoi përgatitjet e samitit të G8-ës në qershor të vitit 2009 në Sardenjë, u arrestua sot nga policia italiane pasi është përfshirë në një hetim për prokurimet e tenderëve publik, që ka përfshirë gjithashtu edhe Nënsekretarin e qeverisë për Punët Publike.
Anxhelo Balduci, aktualisht kreu i zyrës së punëve publike, në vitin 2009 mori detyrën për të transformuar një bazë amerikane nëndetësesh, në ishullin Madalena në Sardenjë, në qendrën ku do të organizohej konferenca e G8-ës, por që më vonë u anulua për t'u organizuar në Akuila, në Italinë qendrore.
Hetuesit konfirmuan se në hetim është përfshirë edhe kreu aktual i Mbrojtjes Civile, Guido Bertolaso. Pas tërmetit të Akuilas, Bertolaso mori edhe detyrën e nënsekretarit të qeverisë.
Kompleksi që do të priste samitin e G8-ës në ishullin Madalena ka disa ditë që shfaqet në faqet e para të gazetave italiane për shkak se një emision televiziv denoncoi se ambientet e kompleksit, ku janë investuar 327 milionë euro enkas për rikonstruksion, ishin braktisur menjëherë pasi samiti u vendos të organizohej në Akuila.
Qeveria italiane vendosi ta organizojë samitin e G8-ës në Akuila për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e ndërkombëtarëve pikërisht në zonën që u godit nga një tërmet i fortë që shkaktoi rreth 300 të vdekur dhe rreth 70 mijë të tjerë i la të pastrehë.
Burime të ANSA-s njoftuan se Bertolaso po hetohet për korrupsion nga magjistratura e Firences. Menjëherë pasi u informua nga organet përkatëse, Bertolaso dha dorëheqjen nga detyra. Ai u shpreh se "për mos të penguar punën e hetuesisë, i kishte dorëzuar kryeministrit Berluskoni të gjitha detyrat zyrtare". Ai theksoi se kishte besim te gjyqësori dhe se do ti kërkonte prokurorisë ta hetonte sa më parë.
Në kuadër të hetimeve, veç Anxhelo Balducit, u arrestuan edhe Diego Anemone, 38 vjeç, sipërmarrës nga Roma, Fabio De Santis, administratori i veprave publike në Toskanë, 61 vjeç dhe Mauro Della Giovampaola, 44 vjeç, nëpunës ministrie. Të katërt akuzohen për korrupsion dhe aktualisht janë dërguar në paraburgim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›