E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Ban Ki Moon shpreh shqetësim për situatën në veri

Sekretari i përgjitshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës dhe ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet një dialogu paqësor.

Këto komente Ban Ki Moon i ka bërë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë një takimi të shkurtër me gazetarët.

Ai ka nënvizuar se duhet ndërmarrë hapa për arritjen e një respekti të ndërsjelltë në rajon, duke e vlerësuar një gjë të tillë si shumë të rëndësishme.

Sekretari i përgjithshëm ka ftuar të gjitha palët gjithashtu që të intensifikojnë punën e tyre në çështjen e personave të zhdukur, ndërkaq ka nënvizuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm.

 Ban Ki Moon ka shfrytëzuar këtë paraqitje para mediave në Prishtinë, për të shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e poetit, Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet në Francë të shtunën më 21 korrik.

Ban Ki Moon do të takohet me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, dhe natyrisht me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Në orët e pasdites ai pritet të vizitojë edhe manastirin e Deçanit dhe të Prizrenit, për t`i dhënë kështu fund vizitës në Kosovë dhe për të vazhduar tutje për në Maqedoni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›