E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Bekim Haxhiu i jep ultimatum Albin Kurtit të përgjigjet deri më 8 shkurt

30-01-2012 / Gazeta 55

“Trego për lidhjet e tua me Serbinë, përndryshe më 9 shkurt do t’i tregoj unë me fakte”. Deputeti Bekim Haxhiu deklaroi se për të gjitha pyetjet që i ka bërë Albin Kurtit, ka fakte dhe dëshmi si nga qytetarët po ashtu edhe nga zyrtarë dhe aktivistë të Lëvizjes "Vetëvendosje", të cilët siç tha ai, e kanë falënderuar atë për demaskimin e fytyrës së vërtetë të Albin Kurtit


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, nuk ka ndërmend të ndalet. Dje në mesditë, ka dalë në një konferencë për media, ku sërish ka kërkuar nga Lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurtit, që të sqarojë, sipas Haxhiut, lidhjen e tij me serbët dhe Beogradin. Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, i ka caktuar Albin Kurtit datën 8 shkurt si “afatin e fundit për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij”. Haxhiu tha se mbetet shqetësues qëndrimi mohues i "Vetëvendosjes" dhe heshtja e Albin Kurtit. Edhe kësaj radhe, "Kamishi" e akuzoi liderin e "Vetëvendosjes" se po vazhdon të fshihet edhe pse e ka obligim moral si qytetar dhe si politikan të jetë transparent para qytetarëve. Duke kërkuar përgjigje nga Kurti për pyetjet e parashtruara në seancën e Kuvendit, deputeti Haxhiu ia kujtoi edhe njëherë Kurtit se pyetjet i janë drejtuar atij dhe jo siç u shpreh ai “postierëve të tij”. “Unë e ftoj publikisht zotin Kurti dhe jo postierët e tij, të përgjigjet me një "po" ose "jo". Nëse unë po flasë të pavërteta, kam përgjegjësi morale dhe penale. Nëse unë flas të pavërteta, Kurti le të më paditë në gjykate dhe aty do të ballafaqohem me Kurtin me fakte, dëshmi dhe dëshmitarë. Zoti Kurti nëse deri me datë 8 shkurt në ora 24.00 nuk përgjigjet publikisht për këtë, më 9 shkurt unë do të shpalosë edhe fakte tjera për zotin Kurti, për këto korrespodenca që i mban me Serbinë në dëm të interesit të Kosovës”, pohoi ai.


Deputeti Haxhiu deklaroi se për të gjitha pyetje që i ka bërë Albin Kurtit, ka fakte dhe dëshmi si nga qytetarët po ashtu edhe nga zyrtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët siç tha ai e kanë falënderuar atë për demaskimin e fytyrës së vërtetë të Kurtit. “Nëse zoti Kurti nuk dëshmon në Gjykatë, do të ballafaqohet edhe me dëshmitë dhe dëshmitarët. Vetëm pas prezantimit tim të këtyre fakteve, kam marrë mesazhe dhe thirrje edhe prej aktivistëve dhe zyrtarëve të Vetëvendosjes, të cilët më kanë falënderuar për demaskimin e fytyrës së vërtetë të Albin Kurtit. Ka mesazhe telefonike dhe me e-mail, të gjitha këto pas 9 shkurtit do t’ia prezantojë zotit Kurti”, tha ai. Haxhiu, nuk pranoi të komentoj deklaratat e Florin Krasniçit, duke pohuar se me hyrjen e tij në skenën politike është ulur niveli i debatit politik. Krasniçi, sipas Kamishit e ka ulë dhe çoroditur kulturën politike dhe ka sjellë një fjalor të ulët politik. Ndryshe, deputeti Haxhiu në këtë konferencë ia përsëriti edhe njëherë Albin Kurtit, pyetjet të cilat ai ia kishte parashtruar edhe më herët.


Ai tha se Albin Kurti e ka obligim moral dhe qytetar që të përgjigjet publikisht për takimin e tij me serbet në Klinë në vitin 2004. Ai e ftoi Kurtin edhe njëherë publikisht të tregoi se kush ishin serbët me të, a ishin serbë të Kosovës apo të Serbisë dhe pse ishte i mbuluar me batanije. Po ashtu, ai e pyeti përsëri Kurtin se kush është gruaja serbe, që e ka vizituar rregullisht atë në Pozharevc dhe e cila rregullisht është parë me të edhe në Prishtinë. Ndërsa pyetja e tretë e Haxhiut drejtuar Kurtit ishte përmbajtja e zarfit të dërguar nga Beogradi me datë 28 shtator të vitit 2011 përmes lindjes së rregullt Beograd-Prishtinë, e dërguar nga vajza e një ministri që ishte në Qeverinë e Serbisë në kohen e Millosheviçit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›