E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Amnesia’, rrëfimi filmik për luftën e Kosovës shpaloset në Francë

PRISHTINE-”Amnesia” i Lendita Zeqirajt do të shfaqet në mesin e filmave nga mbarë bota në festivalin e filmit në Francë.
Festivali ndërkombëtar i filmit “Tout les Cinemas du Monde”, edicioni i 17 do të mbahet në muajin Shkurt.

Nga data 3 deri më 11 shkurt, në qytetin Rouen të Francës, pjesë e garës do të jenë filmat e metrazhit të shkurtër, metrazhit të gjatë dhe ata dokumentarë të filmave nga të gjitha kontinentet. Përveç filmit të metrazhit të shkurtër “Amnesia”, Zeqiraj do të paraqitet edhe me dokumentarin “Nuk jetojmë në parajsë”. I pari do të jetë premierë botërore në këtë festival.

Regjisorja Zeqiraj ka thënë se pjesëmarrja e filmit 4 minutësh “Amnesia”, në këtë festival promovon Kosovën, përjetimet dhe pasojat e pasluftës.

“Sepse filmi u dedikohet të gjithë atyre që përjetuan tmerrin dhe absurditetin e luftës”, ka thënë Zeqiraj.

“Deri tani e kemi montuar e çmontuar disa herë filmin”, ka thënë me humor Zeqiraj, teksa ka treguar se për filmin është duke punuar që nga shtatori i vitit të kaluar.

“Rikrijimi i së kaluarës përmes copëzave të filmit ‘Super 8’ të gjetura pas luftës në Kosovë”, ka thënë Zeqiraj.

“Ato kanë qenë dokumente familjare shumë të dëmtuara. Më është dashur të punoj shumë në fokus dhe në zërin e tyre”, ka shtuar ai.

Filmi nuk ka një personazh të caktuar, por merret më shumë me aspektin filozofik të harresës së ngjarjeve të luftës.

“Nuk ka personazh, madje nuk ka as forma. Të gjitha figurat janë forma që i kam punuar unë vetë. Nuk shihet asgjë konkrete, por janë të mjegulluara, që në aspektin psikologjik trajtojnë dhe simbolizojnë temën e harresës së luftës”, ka thënë Zeqiraj.

Zeqiraj ka veçuar si element të rëndësishëm zërin në këtë film. Montazhin e zërit e ka bërë 17-vjeçari, Nart Zeqiraj, që njëherësh ka qenë edhe asistent regjie në filmin “Kthimi” të Blerta Zeqirit, i cili fitoi në festivalin me renome në botë “Sundance”. Filmi është bërë tërësisht me buxhet personal të Zeqirajt.

“Amnesia” do të shfaqet në kuadër të Festivalit më datën 6 shkurt në kinemanë “Le Melville” dhe më 9 shkurt në kinemanë “UGC Ciné Cité”.

Ndërkohë në këtë të dytën do të shfaqet edhe dokumentari 40- minutash, me skenar dhe regji të Zeqirajt “Nuk jemi në parajsë”. Në këtë dokumentar, Zeqiraj, e cila një kohë ka jetuar në Francë, ka dashur t’u japë fjalën njerëzve të cilëve në shtetin 2 ngjyrësh u dëgjohet fare pak zëri. Gjenerata e tretë apo e katërt e qytetarëve arabë që jetojnë në Francë, e të cilët ende nuk janë integruar plotësisht në kulturën franceze, kanë intriguar piktoren kosovare. “Të gjithë e dinë që aty ka racizëm, ka shkelje të të drejtave të njeriut, por unë kam dashur që ato të shihen”, ka thënë Zeqiraj.

Ky dokumentar mori çmimin e publikut në Festivalin e Tiranës, por Zeqiraj thotë se në Francë nuk do të shkojë për të marrë çmim. 

(d.b/KohaDitore/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›