Kosovë, Dell: Flitet shumë për korrupsion, por asgjë nuk bëhet

Kristofer Dell
Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj partive politike në Kosovë, duke i akuzuar ato si të korruptuara. Dell tha se korrupsioni është një dukuri që po e rëndon shumë Kosovën. Ai këto komente i vëri me rastin e ceremonisë së diplomimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Dell ka thënë se të gjitha partitë bëjnë me gisht nga njëra-tjetra, por janë vetë ato që dinë ta thyejnë ligjin.
Të gjitha partitë bëjnë me gisht nga njëra-tjetra për korrupsion, por vetë ata janë të gatshëm ti mbushin kutitë e votimit dhe tu sigurojnë ndonjë fitim të tenderëve të afërmve të tyre, ka thënë ambasadori Dell.
Ambasadori ka shtuar se në Kosovë ka shumë njerëz që flasin shumë për korrupsionin, por vetë ata bëjnë shumë pak për të. Ai tha se nuk mund të ketë Kosova një ekonomi të zhvilluar kur ka nivel të lartë të korrupsionit.
Gjithashtu ai ka thënë se Agjencionin Kundër Korrupsionit (AKK) Kosova nuk e ka mbështetur aq sa duhet në luftimin e korrupsionit. /KosovaPress/