Kosovë/ EUEX: Në pranverë arrestime për korrupsion
Shoqëria civile sërish ka kërkuar llogari nga kryeprokurori i EULEX-it, Teo Jacobs, për deklarimet e bëra në nëntor se shumë shpejt pritet të bëhen arrestimet e para për korrupsion të figurave të larta publike- shkruan e përditshmja "Koha Ditore"
Lëvizja 'Fol 08' i ka quajtur të pavërteta këto deklarime, duke ia rikujtuar EULEX-it se kanë kaluar më shumë se 3 muaj, qëkur kishte deklaruar Jacobs.
"EULEX-i nuk është duke u marrë vetëm me gjykimin e ish-ushtarëve të UçK-së, por brenda pak muajve do të shihni rezultate për korrupsion", citohet të ketë thënë kryeprokurori nga misioni i EULEX-it, më 3 nëntor 2009.
Mirëpo, përpjekja për kapjen e "peshqve të mëdhenj" të zhytur në korrupsion, duket se do të zgjasë edhe më tutje. Zyrtarë të EULEX-it, përveç se kanë kërkuar durim, po ashtu kanë sqaruar se kryeprokurori Jacobs e ka pasur fjalën për fillimin e pranverës, e jo brenda 2 apo tre muajve.
"Prokurori i EULEX-it ka thënë që ne jemi duke kryer disa hetime interesante dhe që ai shpresonte që do të ketë rezultate konkrete në pranverë", ka deklaruar zëdhënësja e EULEX-it, Christina Herodes.
Edhe menaxherja e programit antikorrupsion dhe transparencë në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës, Merita Mustafa, e cila kishte qenë organizatore e konferencës ku kishte folur Jacobs, më 3 nëntor, thotë se nuk pajtohet me FOL-in. Sipas saj, Jacobs kishte thënë që duhet të pritet derisa "të dalin gjethet", por megjithatë kritikon EULEX-in për mungesë rezultatesh.