E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Pavarësia e Kosovës, rruga e vetme e stabilitetit në rajon

Pavarësia e Kosovës, si një realitet i ri dhe i pakthyeshëm, është e vetmja rrugë që ndihmon në stabilitetin e rajonit për të kaluar problemet e trashëguara nga një e kaluar e vështirë. Kështu ka deklaruar shefi i diplomacisë shqiptare Ilir Meta në një intervistë për Radio Kosovën.
"Natyrisht që dyvjetori i pavarësisë së Kosovës është një ngjarje shumë e shënuar sepse pikërisht sot pas 2 vjetësh mund të bëjmë një vlerësim të efekteve që pati pavarësia e Kosovës për stabilitetin e të gjithë rajonit tonë, por njëkohësisht edhe për përkrahjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare që kjo pavarësi dhe ky shtet i ri kanë gjetur brenda një kohe shumë të shkurtër. Pra, shumica e vendeve të NATO-s, të vendeve të BE-së, shumë nga vendet më të mëdha të kontinentit dhe të botës e kanë njohur këtë shtet të ri duke njohur një realitet të ri dhe të pakthyeshëm sepse kjo është e vetmja rrugë që i ndihmon jo vetëm Kosovës për t'u stabilizuar, por edhe të gjithë rajonit për të kaluar problemet e trashëguara nga një e kaluar e vështirë", është shprehur zëvendëskryeministri shqiptar.
Sa i përket veriut, Meta ka thënë se "përpjekjet e qeverisë së Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar për stabilizimin e situatës edhe në veri të vendit dhe për integrimin edhe të zonave problematike duhet të vazhdojnë" dhe se "kjo kërkon masa komplekse, por sigurisht që kërkon edhe burim dhe dialog të vazhdueshëm".
Sa i përket kërkesës që ka bërë ministri i Jashtëm shqiptar për vendosjen e marrëdhënieve korrekte dhe 'të ngrohta' me Beogradin, Meta ka thënë se mbetet i vendosur "për të pasur marrëdhënie sa më konstruktive dhe sa më të mira me të gjithë vendet e rajonit" dhe në këtë drejtim ai beson se "këto marrëdhënie do të ndihmonin edhe për një raport më konstruktiv midis Serbisë dhe Kosovës".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›