E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, EULEX: Kemi konfiskuar prova, në lidhje me hetimet

Zyrtarë të EULEX kanë konfirmuar se gjatë operacionit në veri të Kosovës, në lidhje me hetimet e vrasjes së një polici kosovar, janë konfiskuar prova siç janë edhe armët. Aktualisht ekzistojnë gjashtë kallëzime penale për personat që kanë lidhje me vrasjen.
 

“Janë kryer kërkime në katër shtëpi private dhe me këtë rast janë konfiskuar prova në lidhje me hetimet, përfshirë edhe armë. Ne mund të konfirmojmë se ekzistojnë gjashtë kallëzime për arrestimin e personave, që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen, ndërsa operacione si ky i sotmi, mund të priten edhe në të ardhmen”, është shprehur zëdhënësja e EULEX.
 

Ndër të tjera ajo ka theksuar se EULEX, kërkon bashkëpunimin e komunitetit lokal për t`i sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të fundit në veri. Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, njoftoi se operacioni ka përfunduar, ndërkaq situata është e qetë, dhe se rrugët janë të kalueshme.
 

Operacionin në Zupç afër Zubin Potokut në rrugën për në Bërnjak, e ka kryer njësia speciale e EULEX me mbështetjen e KFOR, ndërsa hetimet për vrasjen e policit kosovar po kryhen nga EULEX dhe policia e Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›