Kosovë, trupat e KFOR-it, kthejnë autobusin në Jarinje

“Pjesëtarët e KFOR-it, nuk kanë lejuar hyrjen në Kosovë, përmes pikëkalimit kufitar Jarinjë, të autobusit me këshilltarë të strukturave paralele komunale të komunave veriore të Kosovës, meqenëse pasagjerët nuk kanë respektuar procedurat e zakonshme”.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i KFOR-it, Hanes Diter Vihter. Sipas mediave serbe, ky i fundit ka theksuar se pasagjerët e autobusit nuk ishin kooperativë dhe kundërshtuan verifikimin e dokumenteve të identitetit. Ata nuk pranuan procedurën e sigurisë, që është e detyrueshme për hyrje në zonën kufitare, të cilën e mbulon KFOR-i në pikëkalimin kufitar Jarinje.
“Pjesëtarët e KFOR-it i kthyen ata prapa me vërejtjen se mund të rikthehen në pikëkalimin kufitar dhe të hyjnë në Kosovë kur të vendosin të respektojnë procedurat”, citojnë mediat serbe në Vihterin.
Ushtarët e KFOR-it nuk lejuan mbrëmë, rreth orës 22:00, hyrjen në Kosovë të autobusit në të cilin ndodheshin 50 këshilltarë nga veriu i Kosovës, siç i cilësojnë këto media anëtarët e strukturave paralele serbe në këtë pjesë të Kosovës, por përfaqësuesit politikë të serbëve kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve alternative.