Arid Uka, pranon vrasjen e ushtarëve të SHBA, në Franfurk

Shqiptari 21 vjeçar, Arid Uka, me origjinë nga Kosova, ka kërkuar falje në gjykatë për vrasjen e dy ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, në aeroportin e Frankfurtit, duke thënë se ishte i ndikuar nga propaganda islamike.
“Dëshiroj të kërkoj falje te çdokush. Më 2 mars, unë i vrava dy njerëz dhe kam hapur zjarr kundër tre të tjerëve. Sot unë nuk mund ta kuptoj vetveten se si kam mundur të veproj në këtë mënyrë”, u shpreh Arid Uka, në një gjykatë në Frankfurt të Gjermanisë, në ditën e parë të procesit kundër tij.
Prokurori Herbert Deimer tha në gjykatë se Arid Uka, kishte shkuar në aeroport më 2 mars, me qëllim që t`i riste pjesëtarët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për shkak të pjesëmarrjes në Afganistan.
Prokurorët besojnë se Arid Uka, që ka lindur në Mitrovicë të Kosovës, por është rritur në Frankfurt të Gjermanisë, ka vepruar vetëm dhe nuk i përket ndonjë rrjeti terrorist.
Ai është i akzuar për vrasjen e dy ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, në Frankfurt, në muajin mars, dhe për përpjekje për vrasjen e tre ushtarëve të tjerë. Pritet që procesi të zgjasë 10 ditë, ndërsa vendimi do të shpallet vitin e ardhshëm. Nëse shpallet fajtor ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.