Kosovë, Gjyqësori dhe Qeveria në shënjestër të raporteve për korrupsion
Blerina Olldashi
Sistemi gjyqësor nuk ka punuar mjaftueshëm për ndëshkimin e korrupsionit dhe përgjegjës për këtë fakt është Gjyqësori, por edhe Qeveria e Kosovës. Dy raportet e fundit të bëra poblike nga departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Agjencisë Anti-Korrupsion kritikojnë gjyqësorin për mungesën e një sistemi efikas juridik dhe dobësitë në shtetin ligjor. Agjencia Anti-Korrupsioni alarmoi se për tri vjet, nga 168 lëndë të dërguara në prokurori, asnjë nuk është përfunduar, ndërsa janë ngritur vetëm pesë aktakuza. Ky raport, për vitin 2009 tregon se krahasuar me një vit më parë, korrupsioni në gjyqësi ka shënuar rritje prej 63 për qind. Në mbrojtje të gjyqtarëve del kryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Lirie Osmani. Ajo pranon parregullsitë, por nuk pajtohet me shifrat e dhëna. “Thuhet që është mjaft i korruptuar, por nuk besoj që është kaq i korruptuar sa po thuhet. Tashmë po përmenden 53 raste, që ka dërguar Agjencia Anti-Korrupsion. Ata nuk japin emra, ato lëndë janë nëpër prokurori. Ndërsa prokuroria nuk ngre aktakuza, unë besoj se as prokurorët nuk mund të japin emra”, thotë Lirie Osmani. Në të vërtetë, Agjencia Anti-Korrupsion bën të ditur, se të paktën për një rast, aktakuza është ngritur para 14 muajsh, mirëpo nuk ka pasuar asnjë seancë gjyqësore. Për mosfunksionimin e gjyqësorit, Lirie Osmani fajëson numrin e vogël të gjyqtarëve. Ndërsa Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës kundër korrupsionit “Çohu”, thotë se pa funksionim të duhur të gjyqësorit, nuk do të ketë ndëshkime për të korruptuarit. “Derisa nuk funksionon gjyqësori, nuk mund të presim ndonjë ndëshkim dhe, në anën tjetër, raportet e fundit dhe iniciativat brenda Qeverisë, vetëm sa po e ekspozojnë më shumë problemin e korrupsionit në Kosovë”, shprehet Zogiani. Duke parë se rastet e dyshimta lidhur me korrupsionin kanë kaluar pa u gjykuar në tri vitet e fundit, kësaj here, 34 rastet më të ndjeshme, për të cilat dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të lartë të institucioneve, Agjencia Anti-Korrupsion i ka dërguar në prokurorinë e EULEX-it. Agjencia bën të ditur se me aferat korruptive të tyre është dëmtuar shumë buxheti. Por, Avni Zogiani shprehet skeptik se EULEX-i do t’i ndëshkojë zyrtarët në fjalë.
“EULEX-i është peng i vetë natyrës së tij. EULEX-i në Kosovë varet tepër shumë nga lojaliteti i politikës kosovare, lojalitet ky, i cili varet pastaj nga ajo nëse EULEX do të ndërmarrë masa kundër korrupsionit, ose jo”. Ditë më parë EULEX-i ka bërë të ditur se ka ngritur hetime për 33 raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i bëri thirrje të hapur Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe për t’i larguar ata që janë të përfshirë në këtë dukuri.
15 Mars 2010