Përplasjet qeveri-opozitë për raportin e SHBA-ve
Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, që flet për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, është mirëpritur nga Qeveria e Kosovës, e cila pranon se të dhënat janë reale. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, në një konferencë për media, tha se raporti është në vija të njëjta me deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të lartë të institucioneve të vendit, se sistemi i drejtësisë ka dobësi. “Për sa i përket reformimit të sistemit të drejtësisë, ne tashmë kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm. Ju e dini që ekziston një pako e ligjeve, të cilat do të miratohen”, tha Krasniqi. Zyrtarë të partive opozitare vlerësuan se raporti tregon gjendjen faktike në terren. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se raporti tregon qartë se korrupsioni në Kosovë i ka tejkaluar të gjitha masat. “Kjo qeveri është një ndër institucionet më të korruptuara në Kosovë dhe ka çuar në rënien e nivelit ekonomik të Kosovës, si dhe ka varfëruar popullsinë në situatë mjaft dramatike”, tha Isufi. Nënkryetari i AAK-së, Isufi, vlerësoi se raporti me të drejtë potencon problemet në gjyqësor, që, sipas tij, në vend se të luftojë korrupsionin, gjyqësori është vetë në një masë i korruptuar.
Somali
100.000 persona lënë vendin nga luftimet
Në Somalinë e përfshirë nga lufta civile, që prej fillimit të këtij viti më shumë se 100 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Kështu njoftoi Komisariati i lartë për refugjatë i Kombeve të Bashkuara, UNHCR, në Gjenevë. Në kryeqytetin Mogadishu dhe pjesë të tjera të vendit afrikano-lindor njerëzit janë prekur sërish nga luftime të pamëshirshme. Ndërkohë kryebashkiaku i Mogadishut i ka kërkuar popullatës që të largohet nga kryeqyteti. Për shkak të një ofensive të trupave qeveritare, që pritet të fillojë së shpejti, banorët duhet të tërhiqen nga qyteti.
Irak
Al Maliki kryeson votimet në Bagdad e Kerbala
Rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve në Irak tregojnë se lista e kryeministrit në ikje Nuri al Maliki kryeson në një tjetër provincë shiite në jug, si dhe në qytetin e Bagdadit. Rezultatet në fjalë janë publikuar në një komunikatë të Komisionit të Pavarur Zgjedhor, që citohet nga mediat lokale. Kështu, në bazë të të dhënave që kanë dalë nga numërimi i 18 për qind të fletëve të votimit në Kerbala, lista e Al Malikit ka fituar 15.700 vota, pesë herë më shumë se preferencat e shprehura për listën e rivalit të tij Ibrahim al Jaafari.
Tajlandë
“Këmishat e kuqe”, protesta në gjithë kryeqtetin
Dhjetëra mijëra vetë kanë protestuar në rrugët e kryeqytetit të Tajlandës, Bangkok. Ata synojnë të paralizojnë jetën publike dhe të detyrojnë qeverinë që të japë dorëheqjen. Lëvizja opozitare UDD ka arritur gjatë natës që të mobilizojë dhjetëra mijëra demonstrues në rajonet përreth kryeqytetit, të cilët kanë krijuar radhë të gjata nëpër autostradat që shpien në kryeqytet. Për ditën e sotme është planifikuar një tubim proteste ku pritet të marrin pjesë 300 mijë njerëz. Protestuesit të cilët njihen ndryshe me emrin “këmishat e kuqe” duan të rrëzojnë kryeministrin Abhisit Vejajiva i cili mori pushtetin pa zgjedhje.
15 Mars 2010