E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashalimani, nga baza e Luftës së Ftohtë në muze



Albert Gjoka

Vendimi i qeverisë për shkatërrimin e dy nëndetëseve, “Tufani” dhe “Vetëtima”, ka rikthyer në qendër të vëmendjes fatin e bazës së Pashalimanit, për të cilën ekziston një projekt për të ndërtuar një muze të kohës së Luftës së Ftohtë. Ideja është hedhur shumë kohë më parë nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe së fundi është mbështetur edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ish-drejtues të bazës së dikurshme pohojnë se është përgatitur një projekt për “ringjalljen” në maket të një pjese të kohës së dikurshme.

Muzeu
Historia për shndërrimin e bazës ushtarake në muze nisi që në vitin 2002, kur qeveria, e drejtuar në atë kohë nga kryeministri Nano firmosi vendimin për kalimin në fondin për muze të dy nëndetëseve “Tufani” dhe “Vetëtima”. Ide të tilla janë shtyrë vazhdimisht nga ekspertët dhe ushtarakët e huaj, të cilët kanë propozuar si një ndër skemat më të mira dhe më funksionale mënyrën për të arshivuar objektet dhe mjetet e kohës së komunizmit në dëshmi të gjalla përmes ngritjes së qendrave që iu shërbejnë edhe turizmit.
Pak vite më parë, Çekia, një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së nisi punën për ngritjen e muzeut ushtarak të kohës së Luftës së Ftohtë. Një gjë e tillë i nxiti drejtuesit e këtij vendi që të kërkojnë armë dhe pajisje ushtarake të asaj periudhe që ishin futur në Shqipëri. Mes gjërave të kërkuara ishte edhe njëra nga nëndetëset që ndodhet në bazën e Pashalimanit. Së fundi, në nëntor të vitit 2009, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka diskutuar me ushtarakët dhe ish-ushtarakët mundësinë e ngritjes së një qendre muzeale në Pashaliman që t’i shërbejë edhe turizmit në zonën bregdetare. Por, realizimi i një qendre të tillë ka kosto financiare dhe për këtë pritet dhënia e një vendimi nga qeveria shqiptare.

Ideja
Një rrjet organizatash ballkanike e aktivistësh që mbrojnë trashëgiminë kulturore të rajonit (SEE Heritage) që merret jo vetëm me vlerat historike dhe kulturore, por edhe me rrënojat industriale apo dhe ato ushtarake, propozoi disa kohë më parë idenë për ngritjen e qendre muzeale dhe turistike në Pashaliman. Sipas një ish-ushtaraku kroat, baza të tilla, si ajo e Pashalimanit në Shqipëri, mund të jenë tepër fitimprurëse nëse shndërrohen në muze. Praktika të tilla ka edhe në vende të tjera si Bosnja, Kroacia apo edhe Serbia, ku detajet e kohës së komunizmit janë formatizuar dhe paraqitur në stenda dhe pavijone muzeale.

Shkatërrimi
Në nëntor të vitit 1999, qeveria nxori një vendim për kalimin e një kontingjenti të Flotës Detare për skrap, pasi ishin jashtë funksionimit. Në ankandin e hedhur në atë periudhë u shitën katër nëndetëset dhe disa katera, por në vitin 2001 u rikthyen sërish në pronësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 2002, ish-kryeministri Nano urdhëroi që dy prej katër nëndetëseve të shkojnë në Muzeun e Marinës Detare Ushtarake në Shkollën e Marinës në Vlorë. Por, çështja e nëndetëseve dhe mjeteve të tjera lundruese të periudhës së regjimit komunist u kthye disa herë edhe gjatë qeverisë Berisha. Rreth dy javë më parë qeveria vendosi që të kalojë për procedurë shitje, - për skrap dy nëndetëset, të cilat zoti Nano kishte vendosur që të shërbenin për qendra muzeale.

Historia
Gjithçka nisi më 1957-n, kur Flota Luftarake Detare shqiptare e atëhershme mori nga ish-Bashkimi Sovjetik anijet e para, të cilat i dhanë kësaj flote karakteristikat e një flote klasike, ndër të cilat mund të përmendim katër nëndetëse, dy Dragamina të Mëdha, katër Gjuajtës të Mëdhenj Detarë, gjashtë Dragamina të Vogla, dymbëdhjetë Katra Silurues etj. Ishte realisht baza e parë e flotës detare dhe deri në fund të viteve ‘70 Flota Luftarake u përhap nga Pashalimani dhe u vendos edhe në baza të tjera si: Sazan, Durrës, Sarandë dhe Shëngjin. Për fat, në vitin 1974 Flota Luftarake u pajis edhe me anije të tjera kineze, gjashtë Gjuajtës të Vegjël Detarë, tridhjetë Katra Silurues etj. Po ashtu, në vitin 1987 u përurua edhe Baza Detare e Palermos, në të cilën u vendosën nëndetëset që gjendeshin në Pashaliman.

Box 1
Baza e Pashalimanit nëpër libra

Gjatë këtyre viteve, baza e Pashalimanit ka shkruar historinë e saj nëpër libra. Aktualisht janë katër libra të shkruar nga drejtues dhe ushtarakë që kanë punuar në këtë bazë. Një ndër botimet më serioze është “Në bazën e Pashalimanit”, me autor Petrit Myftiun. Një tjetër libër që ka të dhëna interesante për këtë bazë dhe mjetet lundruese ushtarake detare është edhe “Flota detare dhe arkiva sekrete”, me autor kapitenin e rangut të parë, Myfit Qorduka. “Nëndetësja e dytë, - Jetë e vetëmohuar paqësisht” dhe “Uzina e Pashalimanit” janë dy botime të tjera, me autor Fahri Peronën, i cili është angazhuar Flotën Luftarake Detare që në vitin 1957. Këto libra, të shkuar nga personazhe të gjalla të asaj periudhe, ndriçojnë një pjesë të mirë të historisë së bazave ushtarake detare dhe veçanërisht Pashalimanit dhe misionit të nëndetëseve ruse që erdhën në Shqipëri që në vitin 1957.

Box 2
SHTYPI PERËNDIMOR

///Ëallace Carroll
(NYT, datë 6 korrik 1961)

///ËASHINGTON – Informacioni për kalimin e Shqipërisë nga një vend-satelit i Rusisë në atë të Kinës komuniste është konsideruar këtu si shenja më e dukshme e kësaj periudhe që solli tendosjen e mprehtë midis Moskës dhe Pekinit. “Pabesia” e Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik tani është e dokumentuar në mënyrë të detajuar. Specialistët për çështjet komuniste (në Uashington, - shën. red.) i citojnë zhvillimet e fundit si një shenjë domethënëse. Më 26 maj, tetë nëndetëse ruse u larguan nga baza e tyre në Portin e Vlorës dhe u rikthyen në Bashkimin Sovjetik. Zona e nëndetëseve ruse që mbaheshin në Vlorë, - i vetmi simbol i fuqisë sovjetike në hapësirën e Mesdheut, tashmë është braktisur. Kina komuniste, megjithëse i detyrohej Bashkimit Sovjetik më shumë se 300 milionë dollarë gjatë viteve të fundit si pasojë e deficitit tregtar, i ka garantuar Shqipërisë një kredi 5-vjeçare prej 125 milionë dollarësh. Pavarësisht situatave të krizës në Kinën komuniste, Pekini ka njoftuar se do t’i dërgojë Shqipërisë drithëra, që vendi deri tani i kishte importuar nga Bashkimi Sovjetik. Sigurisht, sjellja e Shqipërisë është një simptomë, dhe jo një kauzë, e rivalitetit midis Rusisë dhe Kinës

Paul Hofman
(NYT, datë 30 shtator 1968)

....Gjithashtu, ngritja e forcës detare sovjetike në Mesdhe e nxiti Italinë të rivlerësojë marrëdhëniet e saj me Shqipërisë, sepse vendi i vogël kontrollon hyrjet lart në Adriatik. Aleanca e Shqipërisë me Pekinin është preferuar nga strategët e NATO-s pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, e cila hapi portet e Shqipërisë dhe ishujt në det të hapur për përdorim nga Marina sovjetike. Në të vërtetë, Shqipëria ka qenë e lidhur më ngushtë me Jugosllavinë sesa me dy vendet e tjera që kanë pasur vitet e fundit dyshimet e tyre të përbashkëta, Bullgaria, një pjesëmarrëse ne bllokun sovjetik dhe Çekosllovakia e pushtuar.

Box 3
DOSSIER
Historia e Pashalimanit dhe e nëndetëseve në gazetën “Albania”

Duke filluar që nga dita e martë, gazeta “Albania” nis një cikël shkrimesh për historinë e nëndetëseve dhe bazën e Pashalimanit. Personazhe që kanë punuar për një kohë të gjatë në këtë bazë flasin në detaje për ngritjen e Flotës Luftarake Detare dhe historinë e tyre deri në vitin 1998, kohë kur pjesa më e madhe e kontingjentit lundrues ushtarak u nxor për tu shkatërruar. Historia e ngritjes së bazës, misionet e nëndetëseve në ujërat shqiptare dhe ndërkombëtare, protagonistët kryesorë, marrëdhëniet e tensionuara me Perëndimin dhe deri në ditët tona, janë në qendër të dossierit të gazetës. Për më shumë, na ndiqni në numrat vijues.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›