Paketa e shpëtimit për Greqinë, probleme në Bruksel
Paketa financiare për shpëtimin e Greqisë nga kriza ekonomike ka shkaktuar dyshime të mëdha. Disa media njoftojnë miratimin e fondeve për kapërcimin e situatës, ndërsa burime të tjera zyrtare nga Brukseli shprehen se ende nuk ka një plan financimi të firmosur nga Komisioni Europian. Ekzistenca e një projekti financiar për Greqinë u dha nga Greqia prej disa kohësh ka kërkuar ndihma nga BE-ja, por shumë vende, përfshirë edhe Gjermaninë, kanë refuzuar ta mbështesin financiarisht shtetin helen me paratë e taksapaguesve të tyre. Kryeministri i Greqisë, Papandreu, ka shprehur mëse një herë faktin se vendi i tij ndodhet në prag të kolapsit dhe është vënë në rrezik stabiliteti i rajonit. Madje ai mori një tur vizitash në Bon, Paris dhe Uashington, ku u kërkoi ndihma krerëve të tri vendeve për të kapërcyer këtë moment të vështirë.
Gati paketa?
Komisioni Europian pritet të miratojë një paketë miliarda dollarëshe për t'i ardhur në ndihmë Greqisë për ta nxjerrë nga kriza financiare. Kjo paketë do të jetë gati në rast se Greqia do të kërkojë ndihmë për të dalë nga kriza ekonomike. Deri tani Greqia nuk ka kërkuar ndihmë. Zyrtarë në Bruksel thonë se paketa që do të miratohet së shpejti, mendohet të finalizohet që të hënën. Greqia ka një deficit prej 12.7%, katër herë më të lartë se ç'lejohet në Eurozonë. Qeveria ka vendosur ta ulë këtë deficit në 8.7% këtë vit dhe të zvogëlojë borxhin kombëtar duke shkurtuar rrogat e punonjësve të shërbimeve publike, duke ngritur moshën e pensionit dhe duke rritur TVSH-në. Këto masa të ashpra kanë shkaktuar një zemëratë të thellë në publik dhe gjithashtu kanë sjellë zhvlerësimin e euros. Korrespondenti i BBC-së në Bruksel, Gavin Hewitt, thotë se shpresohet që kjo paketë shpëtimi të jetë aty vetëm në rast urgjence, dhe jo një domosdoshmëri. Gjermania dhe Franca mendohet se janë kontribuueset më të mëdha deri tani, ndërsa nga Britania nuk ka pasur ndonjë ofertë, thotë korrespondenti i BBC-së.
S’ka marrëveshje
Vendet e Eurozonës nuk kanë rënë ende dakord lidhur me planin e shpëtimit për Greqinë, njofton Komisioni Europian. “Komisioni është i gatshëm të veprojë nëse është e nevojshme, por po vazhdon puna rreth pjesës teknike, e cila nuk është përmbyllur ende”, - tha zëdhënësi i Komisionit, Xhonatan Tod. Deklarata vjen në kohën kur ka pasur spekulime se vendet e Eurozonës kanë rëndë dakord për kredi dhe ndihma në nivele dypalëshe me Greqinë. Greqia përballet me një deficit të thellë buxhetor. Të njëjtën gjë pohoi edhe Ministria Federale gjermane e Financave, e cila hodhi poshtë njoftimet për një paketë ndihmash prej rreth 25 miliardë eurosh për Greqinë. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se raporti i gazetës britanike "The Guardian" nuk është i saktë.
Papandreu: “Kriza kapërcehet për tre vjet”
ATHINË – Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, u bëri thirrje qytetarëve të vendit të tij që të bëjnë durim duke premtuar se situata do të ndryshojë brenda tre vjetësh. Ai kërkoi prej tyre që të jenë të bashkuar dhe të bëjnë sakrifica për të përballuar paketat e masave shtrënguese që janë miratuar nga qeveria. Në një intervistë dhënë dje për të përditshmen greke, “Ta Nea” kreu i qeverisë tha se “prioritet është rivendosja e kredibilitetit që ka humbur vendi nga qeveria e mëparshme. Ai gjithashtu theksoi se qeveria e tij është e vendosur për të çrrënjosur praktikat e këqija gjatë së kaluarës, të cilat e çuan vendin në situatën aktuale. "Ne duhet të marrim vendime të dhimbshme, të padrejta për shumë njerëz. Por do të jetë më e padrejtë që ta lëmë vendin të pambrojtur, në duart e spekulatorëve, - tha kryeministri Papandreu.
Kriza greke, fluks refugjatësh në kthyer në Kakavijë
GJIROKASTËR - Në pikën kufitare të Kakavijës pothuajse çdo ditë janë me dhjetëra
emigrantët shqiptarë që kthehen si pasojë e mungesës së punës në shtetin helen. Ata vijnë pasi nuk kanë më asnjë siguri në punën e tyre në Greqi dhe, rrjedhimisht, prej kohësh nuk marrin pagat. Shumë emigrantë që kthehen me nga një çantë në kurriz, ku mbajnë rrobat dhe ato pak plaçka që kanë përdorur gjatë kohës kur kanë qëndruar në Greqi, tregojnë se në shtetin fqinj “çdo gjë ka mbaruar”. Sipas një emigranti nga Tepelena, i cili është kthyer në pikën kufitare të Kakavijës nga Janina, ku punonte prej 3 vitesh, “situata ekonomike në Greqi është bërë shumë e rëndë. Emigrantët me vështirësi arrijnë që të sigurojnë punë të ndryshme, dhe paguhen sa për të mbajtur frymën gjallë”. Të tjerë emigrantë që vijnë kryesisht nga zona rurale të veriut Greqisë tregojnë se prej disa muajsh nuk janë paguar nga pronarët e tyre për punën e bërë, prandaj janë detyruar që të largohen. Në këto kushte, kur ekonomia e shtetit helen shënon rënie të vazhdueshme, kthimi në Shqipëri për disa emigrantë mbetet gjysma e të keqes.
Kriza greke në Shqipëri, Gjirokastra ndien efektet e para
GJIROKASTËR - Vetëm përgjatë këtij viti janë mbyllur 4 biznese që operonin me tregun grek, me kontrata shtetërore e private, duke lënë në rrugë qindra punëtorë të profilit të rrobaqepësisë në Gjirokastër. Sipas biznesmenit Vasil Karanxha, i cili operon me subjekte shtetërore e private nga Greqia, shqetësimi më i madh në këtë situatë mbetet mungesa e likuidimit. “Likuidimi është bërë shumë i vështirë, kërkojnë vazhdimisht kohë. Ne vetë jemi në pozicione jo të favorshme për të bërë këtë gjë. Mungesa e cash-it në shtetin fqinj ka sjellë mungesë likuidimi për ndërmarrjet tona dhe nëse vazhdohet në këtë formë, situata është fatale”,- shpjegon biznesmeni Karanxha. Në qarkun e Gjirokastrës llogariten një sërë biznesesh drejt falimentimit, shkak për të cilën mbetet operimi në tregun e shtetit fqinj, tashmë në krizë të thellë ekonomike.
15 Mars 2010