E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, ISG kërkon zgjedhje demokratike

Vendet anëtare të ISG-së kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme komunale, sipas standardeve dhe parimeve për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Në takimin, që u mbajt të hënën në Prishtinë, ka marrë pjesë dhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Stuart Jones, përfaqësuesit e vendeve të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfaqësuesi i Turqisë, si edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të misionit civil ndërkombëtar.

Duke i komentuar konkluzionet e këtij takimi, përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith, tha se anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën e kanë vlerësuar lart angazhimin e Kosovës për zbatimin e Planit të Ahtisaarit, procesin e deritashëm të decentralizimit, si dhe e kanë inkurajuar Prishtinën të vazhdojë me organizimin e zgjedhjeve lokale.

“Vendet anëtare të këtij grupi drejtues janë pozitivisht të impresionuara me përparimet që janë arritur në Kosovë”, tha Feith.

Feith tha po ashtu se në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme në Qeverinë e Kosovës, vendet e këtij grupi drejtues do t’i përcjellin edhe zhvillimet për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›