E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Intelektualët: Gjykim të paanshëm për Ramush Haradinaj

14-07-2011 / Gazeta 55

Një letër e firmosur nga 300 intelektualë të Kosovës i është dërguar të mërkurën kryetarit të Tribunalit të Hagës, Patrik Robinson, në të cilën i jepet mbështetje liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në letër shprehet edhe shqetësimi për ngecjen e procesit gjyqësor të Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt.
Shefi i Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik, profesori Muhamet Mala, ka thënë se nga kryetari Robinson është kërkuar që rigjykimi i pjesshëm i Haradinajt, i cili pritet të fillojë më 17 gusht, të jetë i shpejtë, i drejtë dhe i paanshëm. Sipas profesorit Mala, letra që i është dërguar kryetarit të Tribunalit, nuk është ngritur mbi kriteret partiake, por ka një bazë të gjerë intelektuale.
“Ne profesorët e UP-së, akademikët dhe intelektualët nuk mund ta kuptojmë sesi është e mundur që një njeri i liruar një herë nga gjyqi i Hagës, të gjykohet përsëri për të njëjtat vepra për të cilat më parë është shpallur i pafajshëm. Ku është drejtësia pas kësaj”, ka thënë Mala, duke cituar pjesë të përmbajtjes së letrës që i është dërguar kryetarit të Tribunalit, Patrik Robinson.
Akuzat për krime lufte ndaj Haradinajt u ngritën në mars të vitit 2005, kur ai ishte kryeministër i Kosovës. Pas gjykimit, Haradinaj më 2008 u shpall i pafajshëm. Mirëpo, në korrik të vitit 2010 ai ftua sërish për rigjykim të pjesshëm.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›