E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, i dashuruar me qorrsokakun politik

14-07-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Ai e ka shpallur vetë se nuk është politikan. Nuk është kuptuar kurrë se ç’ka dashur të thotë me rebuset e tij të padeshifrueshme. Është orvatur të bëjë sensacion, si njeri ekzibicionist? Ka shprehur etjen e tij të hershme për të qenë origjinal? Ka dashur të motivojë atë tiradën e tij “Përtej të majtës dhe të djathtës?”. Kërkon të jetë i besueshëm në pré-e-lëshotë e tij se është vizionar?
Pak nga të gjitha. Ose, për të qenë më brenda, asgjë nga gjithçkaja.
Është i vetmi ndër ata që ka bërë karrierë, duke kaluar nga antikomunizmi i tërbuar në enverizmin fanatik, me glorifikimet anakronike në çdo 16 shtator në Pezë. E ka përçarë PS-në dhe e ka futur politikën shqiptare në qorrsokak
Nuk janë të pakët ata që kaluan nga idera totalitariste në frymëzime demokratike. Nobelisti Ezra Paund ka pas qenë fashist. Milovan Gjilasi ishte komunist dhe arriti numrin dy apo tre në hierarkinë pushtetare të Titos. Të dy koha i drejtoi në hullinë e liberalizmit demokratik. Pietro Neni, po ashtu. Mund të përmenden edhe shumë e shumë të tjerë. Por nuk dimë që një antikomunist i thekur të ketë përfunduar në komunist! Edi Rama është një përjashtim. Ai kujton se ka tagrin të përligjë gjithçka. Por sot ai është kryetari i asaj partie (paçka se i kontestuar brenda radhëve), që ka në radhët e saj të gjithë mëkatarët e regjimit të E. Hoxhës, të gjithë keqbërësit e atij regjimi, operativët që të nxirrnin gjak në vetull, hetuesit sadistë, gjyqtarët që vinin edhe zellin e tyre për të dhënë sa më shumë vendime kapitale, prokurorë që e dinin se jepnin sentenca ndaj njerëzve të pafajshëm, shërbestarë të terrorizmit të stimuluar nga stalinisti Enver Hoxha. Në “Refleksionet” e tij të vitit 1991 ka shkrime të autorit E. Rama sipas të cilave këta elementë duheshin varur të gjithë në litar. Sipas Hysni Milloshit, mund të shtohej edhe vargu që bën rimë: “...dhe veteranët, në hanxhar!”. Inkoherencat janë të shumta. Në librin e tij që përmendëm, - që “Haxhi pishmani” (e.r.-ja) e nxori jashtë përdorimit duke ngarkuar militantët e tij ta tërheqin përkundrejt pagesës nga të gjitha libraritë e vendit dhe ta digjnin si në furrat e inkuizicionit - flitet për luftën civile kriminale, produkt i luftës nacionalçlirimtare, nën komandë të Miladinit dhe të Dushanit. Kuptohet sesi u rebeluan veteranët e indoktrinuar me këto shprehje të “Refleksioneve”. Megjithatë mjaft nga historianët papagallë, sot mëtojnë të na japin leksione të stampës së kohës së Enverit dhe historiografia e shpëlarjes së trurit është shtrirë edhe nëpër tekstet shkollore të nëntëvjeçares, të gjimnazit dhe të universiteteve.
Në punimet e para të Konferencës së Mukjes u fol me respekt për luftërat e Ballit Kombëtar kundër okupatorëve në luftimet e Gjormit, Floqit, Gramshit, Patosit, Shën Mërisë, Mallakastrës, Luar-Ruzhdies, Kolonjës, Selenicës, Mallakastrs, Mokrës, Devollit, Postribës, Leskoviut, Elbasanit, Pezës, Kurianit... ndërsa, pas prishjes për çështjen e Kosovës e të tjera si kjo, përmendeshin pulat! Historiografia e jonë e tanishme s’e ka për gjë të merret me përgojimet e pulave edhe sot e kësaj dite!
Mendësia e së kaluarës doemos që është e papajtueshme me vizionin për t’u bashkuar me Europën. Si mund të quhet vizionar një narciz që kërkon kushte që t’i shkojnë për osh personit të tij dhe të pengojë marrjen e një vendimi me shumicë të cilësuar për të hapur udhën e  kandidaturës për në BE? Ambicia e shfrenuar për një pushtet të trefishtë, kryter partie, kryetar bashkie, kryeministër, është paksa si tepër dhe dështimet doemos që janë të pritshme, siç ia kanë  vënë në dukje Kastriot Islami, Andis Harasani dhe shumë kolegë të tjerë të elitës së PS-së. Citojmë K. Islamin: “Edi Rama donte që, me çdo kusht, të fitonte zgjedhjet dhe të behej kryeministër, por nuk dëshironte të ishte në listat e deputetëve. Por, të thuash se ke fituar elektoratin është naive dhe qesharake, kur e ke humbur betejën, thuajse në çdo skaj të saj. Konkluzioni është se e majta e përçarë vërtetohet për herë të tretë se nuk është e suksesshme. Kjo problematikë është vërtetuar në 2005-n, 2007-n dhe në 2009-n”. K. Islami e thotë troç se “përgjegjësi kryesor i humbjes së PS-së është Rama”.
Duke vënë në epiqendër veten dhe duke injoruar të tjerët, le të mbajë edhe përgjegjësinë e humbjes. Por ç’t’i bësh kur i mbushet mendja që humbjen ta quajë fitore? “Tahmaja e madhe: e zeza e të zot”, është një lokucion shkodran. E pësoi si ai qeni i La Fontenit, me kockën në gojë, që iu turr shëmbëllimit të tij, të pasqyruar në ujët e lumit. Kërkonte edhe kockën e paqyruar dhe u hodh në lumë, duke humbur edhe kockën e tij! Gjatë të gjithë fushatës për  kryetarin e bashkisë së Tiranës,  nuk reshti së përmenduri me tone ofenduese si kandidatin për kryetar, L. Bashën, ashtu edhe kryetarin e PD-së, kryeministrin e vendit. Si mund të bashkëpunohet me një buzëvarur të tillë? Ndërkombëtarët kërkojnë konsensus të palëve, duke e ditur se palët janë dy. Por edhe ata janë të qartë se cili është me të vërtet për marrëveshje për interesa kombëtare dhe cili është për konsensus të kondicionuar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›