Jashtë parlamentit, jashtë politike
Nuk ishin të paktë ata që i mëshonin idesë se menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Turqi duhej të bëheshim gati për një verë të nxehtë. Ata që parapanë një situatë të tillë, me gjasa mendonin se “piku” i të nxehtit të kësaj vere do të ishte Kushtetuta. Kjo është me të vërtetë një çështje kritike, pasi qysh kur zë e nis të flasësh për kushtetutën, është e pamundur të mos përmendësh orvatjet për të kryer grusht shteti, gjyqet në vazhdë dhe aspekte të ndryshme të çështjes kurde. Tollovia politike gëloi menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Ka një lidhje të pakundërshtueshme mes debateve që kanë të bëjnë me kushtetutën dhe kundërshtisë së shprehur nga opozita kryesore dhe deputetët e pavarur për të zënë vendet e tyre në parlament. Kushtetuta e re nënkupton një demokraci më të thellë dhe një sërë rregullash për qeverisjen e vendit. Kushtetuta në fuqi, pavarësisht rregullimeve të kryera kohë pas kohe, mishëron mendësinë e “regjimit të vjetër”. Ajo është plot me qëndrime që përjetësojnë regjimin e tutelës. Për më tepër, kushtetuta aktuale ofron mjaft mundësi për gjithkënd që dëshiron e kërkon të instalojë një sistem politik autoritarist në vend. Në kushtetutën në fuqi skicohet qartë se nuk i lejohet asnjë lloj qeverie që vjen në pushtet të ndryshojë thelbin e regjimit të tutelës. Kështu, pak rëndësi ka se sa është përqindja e mbështetjes popullore, asnjë parti apo koalicion qeverisës nuk mund të jetësojë një liberal-demokraci të plotë për vendin. Për rrjedhojë, ligjet në fuqi ia pamundësojnë AKP-së përmbushjen e detyrimeve qeverisëse siç e lyp nevoja. Sidoqoftë, mënyra se si është formësuar parlamenti të bën me dije se Partia për Zhvillim e Drejtësi (AKP-ja) mund t’ia dalë mbanë për të ndryshuar kushtetutën. Mjafton të vetëdijesohen vetëm disa deputetë të parlamentit për të arritur shumicën e cilësuar. Ky realitet aritmetik e vendos barrën e përgjegjësisë mbi supet e qeverisë. Ndryshimet në kushtetutën e re do të jenë njëherazi edhe një gur prove për treguar shkallën e demokracisë së qeverisë. Për shkak të mënyrës së formësimit të parlamentit, AKP-së i duhet të rishikojë paraprakisht edhe disa qëndrime vetjake ndaj çështjes kurde, problemit të halevitëve, jo-myslimanëve, grave, homoseksualëve dhe minoriteteve. Hovi i ndryshimeve shoqërore do të shndërrojë çdo faktor politik në vend, përfshirë këtu edhe AKP-në. Procesi i hartimit të kushtetutës së re do të nxisë të tërë shoqërinë për të rrahur debatet në frymën e tolerancës, mirëkuptimit e transparencës. Edhe pse në radhët e AKP-së mund të gjenden aktorë politikë që janë ngurrues apo në mëdyshje për ata që janë “të ndryshëm”, AKP-ja mbetet ende motori i demokratizimit të shoqërisë turke. Ja përse kriza e betimit të deputetëve në parlament merr rëndësi jetike. Zgjedhësit shpresojnë që të zgjedhurit e tyre, nga të gjitha krahët, do të rrahin mendimet së bashku për një kontratë të re sociale në vend. Ata mbeten me shpresë të shohin “live” në parlament edhe përballjet mes atyre që duan të fuqizojnë liritë demokratike dhe atyre që dëshirojnë të ruajnë të paprekura shtrëngesat e së shkuarës. Në këto sfida politike, çdo parti sigurisht që do të parapëlqejë të mbrojë liritë e zgjedhjes së saj dhe të anashkalojë liritë e palës tjetër. Në këtë procedurë ujdish pritet të shihet se ç’qëndrime do të mbajnë deputetët e pavarur. A do të dëgjojnë zërin e zgjedhësve të tyre apo do ua vënë veshin udhëheqësve autoritarë. Pritet të shihet se ç’qëndrime do të mbajë partia e qendrës së majtë(CHP), ku shumë qëndrime të saj janë pasqyrime të grindjeve e betejave të brendshme partiake. Pra, nëse do t’i fusin apo jo shkopinj nën rrota debatit për kushtetutën. Nëse një ditë këta deputetë e ndajnë mendjen të mos bëhen pengesë për demokratizimin e vendit, fillimisht do të jenë ata vetë më të demokratizuar e më transparentë. Sidoqoftë, duke zgjedhur rrugën e mos-ndryshimit dhe pengimit edhe të të tjerëve për të ndryshuar, ata së toku kanë shprehur kundërshtinë ndaj procedurave parlamentare, duke shpresuar që qeveria të veprojë sikur mos të ketë ndodhur asgjë dhe të amendojë ligjet dhe Kushtetutën vetëm me kartonat e saj Por, në demokraci gjërat nuk funksionojnë kështu. Të gjithë deputetët që nuk janë të pranishëm në parlament, herët a vonë do të dalin vetë me qeder. Kjo është përpjekja e tyre për ta mbajtur peng veprimtarinë e partisë qeverisëse, por nga ana tjetër janë kutitë e votimit ato që e diktojnë AKP-në të përmbushë detyrimet qeverisëse.