Arvizu: Imuniteti po pengon hetimet, ndryshoni ligjin

SHBA shprehet edhe njëherë për domosdoshmërinë e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Në mbyllje të programit “Sfida e Mijëvjeçarit”, program i cili ka si qëllim luftën ndaj korrupsionit, krimit ekonomik financiar e krimit të organizuar, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi se Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin përmes kufizimit të ligjit për imunitetin e zyrtarëve. Arvizu tha se çdo person duhet t’i nënshtrohet hetimit për korrupsion, qofshin këta edhe zyrtarë, duke lëshuar kështu edhe një apel për Shqipërinë, e cila sipas Arvizu “mbron zyrtarët nga ky hetim me anë të imunitetit”.
Ambasadori i SHBA-së ka kërkuar ndryshimin e legjislacionit shqiptar për sa i përket kufizimit të imunitetit për zyrtarët e lartë, duke konfirmuar kështu një qëndrim të hershëm të komunitetit ndërkombëtar. Edhe pse mazhoranca është shprehur e gatshme për kufizimin e imunitetit, mungesa e votës së opozitës, e bën të pamundur ndryshimin e ligjit me 84 vota. Ambasadori Arvizu theksoi se imuniteti pengon hetimet për zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion si dhe krijon disfunksion të organeve të hetimit. “Kjo pamundësi për të hequr imunitetin pengon hetimet në Shqipëri. Ndërkohë që të gjitha palët duhet të vazhdojnë me axhendën që të ndryshojnë ligjet në mënyrë që ato të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë”- theksoi Arvizu.
Arvizu ka theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë kanë imunitet ndaj duhet të shihet mundësia e ndryshimit të legjislacionit. “Shqipëria është i vetmi vend që kufizon veprimtaritë hetimore që mund të bëhen për gjyqësorin dhe për personat publik për shkak të imunitetit”- shtoi Arvizu. Gjithashtu ambasadori Arvizu e ka cilësuar programin e mijëvjeçarit si mjaft të suksesshëm edhe pse zbatimi i Task Forcës ka qenë mjaft i vështirë. Ndërkohë sot është mbyllur programi “Sfida e Mijëvjeçarit”, program i cili ka si qëllim luftën ndaj korrupsionit, krimit ekonomik financiar e krimit të organizuar ku në kuadër të këtij programi është krijuar edhe Taks Forca.