Kosovë, Jahjaga kthen për rishqyrtim Kodin Penal

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë vendim që të kthejë në Kuvend për rishqyrtim Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i miratuar me 20 prill. Jahjaga argumenton se neni 37 dhe ai 38 janë në shkelje me kushtetutën e Kosovës.
Bazuar në kompetencat e Presidentes së Republikës së Kosovës, sipas nenit 84 pika 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendimi për rishqyrtimin e Kodit Penal u mor pasi u vlerësua se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve si dhe me Nenin 22, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, thuhet në komunikatën e presidentes. /F.S/