E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Jaka: Autoritetet kosovare të heqin tarifën doganore të çimentos

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka kërkuar autoriteteve kosovare që të heqin tarifën doganore për çimenton që eksportohet nga Shqipëria drejt Kosovës.

Tarifa doganore për çimenton e vendosur në masën 35 për qind u vendos pak ditë më parë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, gjatë një vizite zyrtare këto ditë në Prishtinë zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të lartë të Odës Ekonomike të Kosovës, përfaqësues të biznesit apo me parlamentarë të Kosovës, në të cilat kërkoi që të mos aplikohet tarifa doganore e vendosur në masën 35 për qind nga ministria e Kosovës.

“Edhe përfaqësues të biznesit në Kosovë u shprehën pro anulimit të tarifës prej 35 % për të gjitha vendet nga ku Kosova importon çimento”, theksoi Jaka.

Qeveria e Kosovës vendosi një javë më parë rritjen në 35 % të tarifës doganore për importin e çimentos, duke dëmtuar kështu biznesin shqiptar, i cili furnizon mbi 40 % të tregut. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Mimoza Kusari Lila, argumenton se vendimi nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e tjera dhe është në përputhje me Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA.

Kundër vendimit për rritjen e tarifës së importit të çimentos është shprehur edhe zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë. Sipas burimeve zyrtare, vendosja e kësaj tarife është në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë, nënshkruese e së cilës është edhe Kosova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›