E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karkaleci pushton Gorricën e Madhe

Karkalec / foto arkiv

Korçë-  Karkaleci i ardhur nga Maqedonia po përparon çdo ditë e më shumë me pushtimin e tokave të kultivuara dhe tokave të lëna djerr, pa kursyer as zonat e veshura me shkurre. Brenda pak ditëve ushtria e karkalecave arriti të pushtojë rreth 200 hektarë tokë, gjë që do të thotë se ky burim infeksioni brenda një dite të vetme arrin të përhapet në një sipërfaqe të konsiderueshme. Ndërkaq banorët e Goricës së Madhe kanë filluar të ndihen të alarmuar, pasi ushtria e karkalecave është gjithnjë në lëvizje, duke u afruar zonave të banuara, ku edhe sipërfaqet e kultivuara janë më të mëdha. Dëmtimet në të mbjella kanë filluar, por askush nuk mund të thotë dot se kur do të fillojë ndërhyrja për parandalimin e mëtejshëm të shtrirjes së karkalecave

Deri më tani nga ana e Drejtorisë Rajonale e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nuk është bërë asnjë ndërhyrje, çka do të thotë se në ditët në vijim sipërfaqja e infektuar do të  jetë edhe më e madhe se kaq, ose e dyfishuar.

Burime pranë DRBUMK bënë të ditur se aktualisht një grup specialistësh në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës, me Kryeplakun e fshatit dhe me specialistin e bujqësisë për zonën e Liqenasit arritën të identifikojnë se tashmë 200 hektarë tokë janë të infektuara nga karkaleci. Gjithnjë sipas burimeve në fjalë, pjesën më të madhe të sipërfaqes së dëmtuar e zë toka e lënë djerr, sepse, sipas specialistëve, toka të tilla janë më të preferura për karkalecin, ndërsa sipërfaqet e mbjella aktualisht janë të prekura më pak. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e mundur asnjë lloj ndërhyrje, sepse, së pari duhet të sigurohet një fond për blerjen e preparateve kimike dhe për pagesën e punonjësve që do të realizojnë spërkatjen e zonës  me insekticid. Nga ana e specialistëve është parashikuar gjithashtu që në ato zona ku mund të hyjnë mjetet të përdoren traktorë-pompa, ndërsa në zonat e vështira spërkatja të bëhet me pompa-shpine. Sipas specialistëve, fillimisht ndërhyrja do të bëhet në tokat e kultivuara dhe vetëm pas kësaj do të vijohet me tokat djerr

Megjithatë, pavarësisht nga interesi që po tregohet nga ana e specialistëve të bujqësisë, të cilët po kryejnë verifikimet mbi sipërfaqet e dëmtuara,  duke përcaktuar kështu edhe masat që duhen marrë, për banorët e Komunës Liqenas dhe veçanërisht për ata të  Goricës së Madhe  e vetmja zgjidhje që do të jepte efekt do të ishte ndërhyrja sa më parë me preparate kimike, pasi çdo ditë e vonuar rrit ndjeshëm dëmin në të ardhurat e tyre. Banorët e kësaj zone siguruan gjithashtu se në rast ndërhyrjeje me preparate kimike dhe ata ishin të gatshëm të jepnin kontributin e tyre. Gjithsesi se kur do të fillojë ndërhyrja, kjo do të shihet në ditët në vijim. /Vepror Hasani/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›