E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, KDI kundër pensionit suplementar të deputetëve

Ndër çështjet kryesore që trajtohen në raport janë Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, mosgatishmëria e Qeverisë për t'i implementuar e obligimeve të Kuvendit, papërgjegjësia e deputetëve për të marrë pjesë në seancat plenare dhe në komisione, etj.

Sa i përket Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, KDI kundërshton fuqishëm nenin 22 që i njeh të drejtën e deputetëve për pensionim suplementar, qysh në moshën 50 vjeçare. Në konferencën për media, Driton Selmanaj nga KDI ka vlerësuar se ky nen nuk është në harmoni me gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, madje është fyes për kategoritë tjera të të punësuarve në vend dhe kërkon mbështetje, në mënyrë që ky ligj të pengohet së hyri në fuqi.

"Kërkojmë nga Presidenti i vendit të mos e dekretoj këtë ligj, si dhe kërkojmë nga organizatat e tjera joqeveritare që të na mbështesin në këtë kërkesë", ka thënë Selmanaj, ndërkohë ka shtuar se nëse sot do të shpërbëhej Kuvendi, atëherë 50 % e deputetëve do të dalin në pension.

Ai ka propozuar që mosha e daljes në pension të jetë më e lartë, pasi sipas tij, përveç Belgjikës që parasheh moshën 55 vjeçare, shtetet e tjera e kanë edhe më të lartë. Një çështje tjetër që diskutohet në raport ka qenë edhe mosgatishmëria e Qeverisë për të ndërmarrë veprime dhe masa konkrete që dalin nga Kuvendi, siç është rasti me debatin që pati kërkuar LDD lidhur me cenimin e integritetit dhe sovranitetit shtetëror me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ku Kuvendi nxori një qëndrim, që Qeveria t'i ndalojë ato zgjedhje, si dhe raste të tjera të Kuvendit, ku Qeveria nuk i ka marrë parasysh.

Papërgjegjësia e deputetëve për të marrë pjesë në seancat plenare dhe komisionet parlamentare, ka qenë një tjetër vërejtje për Kuvendin, që është ngritur nga KDI. Sipas Selmanajt, gjatë muajit maj kanë dështuar disa komisione për shkak të mungesës së kuorumit, po ashtu edhe mungesat e tyre në seanca plenare, me ç'rast po ndikon në zvarritjen e nxjerrjes së dokumenteve të rëndësishme për vendin.

Në raport është evidentuar edhe mungesa e harmonizimit të qëndrimeve ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit, por edhe e komisioneve parlamentare, ka ndikuar që Kuvendi të mos miratojë kredinë e IDA-s për Qeverinë e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›