Kosovë, Krasniqi: Në veri ka grupe kriminelësh

Jakup Krasniqi
Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, me ftesë të Komisionit për Partneritet dhe Zhvillim Demokratik të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Jaku Krasniqi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, është shprehur se në pjesën veriore të Kosovës janë grumbulluar grupe kriminelësh të luftës që e shfrytëzojnë paligjshmërinë.
Këto komentet ai i bëri në paraqitjen e tij në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me situatën në pjesën veriore të Kosovës, pas sulmeve të fundit kundër pjesëtarëve të NATOs në Kosovë, zoti Krasniqi, pos tjerash, tha:
Jam i bindur se shumica e qytetarëve serbë të asaj pjese të Kosovës nuk janë dakord me këto sulme, që bëhen atje, e as nuk janë dakord me atë jetë të barrikaduar, që e bëjnë një numër i caktuar i serbëve në atë pjesë të Kosovës. Aty janë grumbulluar grupe kriminelësh të luftës, të cilët e e kanë shfrytëzuar gjithë këtë paligjshmëri dhe çdo vendosje e rendit dhe ligjit ata e shohin si rrezik për ta, tha Jakup Krasniqi në fjalimin e tij në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, dhe ka shtuar se Serbia, në atë pjesë të Kosovës, asnjëherë nuk i ka shpërbërë strukturat e veta të jashtëligjshme dhe ilegale, por vazhdon ti financoj këto struktura.
Sipas Krasniqit, këto struktura i kërcënojnë dhe i sulmojnë njerëzit që do të dëshironin të integroheshin në institucionet e Kosovës.
Më tutje ai është shprehur se Kosova ka nevojë për përvojën e demokracisë amerikane.
Ne kemi nevojë që të kemi mbështetje dhe të marrim përvoja të mira të demokracisë dhe ne kemi nevojë, po ashtu, për ndihmë nga Kongresi amerikan në zhvillimin e demokracisë, tha Jakup Krasniqi.(rel)