Kosovë, Krasniqi: “Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme”
Jakup Krasniqi, ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës, ka deklaruar se klima politike e krijuar në vend imponon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Në një intervistë për “BBC”, Krasniqi thekson se çështja tashmë qëndron në faktin se sa kohë do të shfrytëzohet për përgatitjen e zgjedhjeve dhe sa të përgatitura janë institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet e mundshme të parakohshme, sipas tij do të shtyjnë për një kohë edhe bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet teknike, meqë sipas tij, Kosova duhet të hyjë në dialog me institucione të qëndrueshme. "Nëse shkojmë drejt zgjedhjeve mendoj se duhet të pritet krijimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira dhe nga vota e qytetarëve të Kosovës për të marrë përgjegjësinë dhe për të bërë atë dialog ose bisedime. Mendoj se për një kohë do të shtyhen këto bisedime", tha Krasniqi. Pyetjes nëse zgjedhjet do të shpallen nga ai vetë, Krasniqi iu përgjigj se nëse partitë nuk do të mundin të gjejnë një gjuhë të përbashkët, atëherë, mbi bazën e Kushtetutës do të jetë ai vetë. Nëse partitë politike të koalicionit nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët ndoshta unë do të jem ai që do të shpall, mbi bazën e Kushtetutës, këto zgjedhje, meqë vullneti dhe dëshira ime është që të ketë një proces normal edhe në zgjedhjen e presidentit, i cili pastaj do të vazhdonte punën dhe do t’i shpallte zgjedhjet sipas ligjit dhe në kohë normale e të rregullt”. Sipas tij, mes PDK-së dhe LDK-së nuk ka patur marrëdhënie politike ditët e fundit, por vetëm kontakte individuale, që do të thotë se ditët në vijim do të sjellin zhvillime të tjera. Për sa u përket bisedimeve Kosovë-Serbi, Krasniqi shprehet: Nëse shkojmë drejt zgjedhjeve mendoj se duhet të pritet krijimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira dhe nga vota e qytetarëve të Kosovës për të marrë përgjegjësinë dhe për të bërë atë dialog ose bisedime. Mendoj se për një kohë do të shtyhen këto bisedime. Ai e quajti “krizë të vogël politike” dorëheqjen e presidentit Sejdiu, por tha se nuk është krijuar boshllëk institucional, pasi ky është edhe synimi i tij, të ruajë një lloj balance. “Dëshira ime është që në radhë të parë, thjesht, të mos ketë vakuum institucional, të mos krijohet krizë institucionale dhe që në bisedat që do të zhvillojmë me partitë politike, në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë me partitë e koalicionit të gjejmë një gjuhë të përbashkët që kjo zgjidhje të jetë sa më e shkurtër dhe në një afat sa më të shkurtër të mundshëm. I gjithë angazhimi im do të jetë mbi bazën e Kushtetutës, mbi bazën e afateve që i parasheh Kushtetuta dhe mbi bazën e një marrëveshjeje që do të duhej të arrihej, fillimisht, mes partnerëve të koalicionit të deritashëm, por edhe të subjekteve të tjera politike nëse koalicioni qeverisës nuk e gjen gjuhën e përbashkët” u shpreh Jakup Krasniqi.
30 Shtator 2010