E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Kroacia hap ambasadën e saj në Prishtinë

Prishtinë (start)- Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kroacisë në Kosovë, është shndërruar në ambasadë. Lajmin e ka konfirmuar sot shefi i kësaj zyre në Prishtinë Dario Malnar, i cili i ka dorëzuar ministrit të Jashtëm kosovar Skënder Hyseni dokumentin që e shndërron këtë zyrë në ambasadë.

Malnar i dorëzoi Hysenit letrën e ministrit të punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Jandrokovic, në të cilën njoftohet se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kroacisë ngrihet në nivel të Ambasadës. Z. Dario Malnar do të mbetet i ngarkuari me punë derisa në emërimin e ambasadorit të Republikës së Kroacisë në Prishtinë.

Në letrën e homologut kroat drejtuar ministrit Hyseni konfirmohet gatishmëria e Republikës së Kroacisë për zhvillim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, të cilat kanë në interes forcimin e stabilitetit dhe mirëqenies në Evropën Juglindore dhe në integrimet euroatlantike. Kroacia është vendi i 14 që e ngre përfaqësinë diplomatike në Kosovë në nivel ambasade.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›