Kosovë, Kuçi paralajmëron dorëheqjen

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka paralajmëruar dorëheqjen e tij në rast se nuk do të hiqen nga Kodi i ri Penal, neni 37 dhe 38, të cilët kontestohen nga komuniteti i gazetarëve.
“Do të loboj në Kuvendin e Kosovës, që ato dy nene të mos miratohen. Nëse edhe përkundër përpjekjeve të mia, këto dy nene më 1 janar hyjnë në fuqi, hyn në fuqi edhe dorëheqja ime”, ka thënë Kuçi. Gazetarët në Kosovë kanë protestuar të hënën kundër miratimit të dy neneve të reja në Kodin Penal nga Kuvendi, duke vlerësuar se ato rrezikojnë seriozisht punën e tyre në të ardhmen. Për 30 minuta, gazetarë të mediave të shkruara dhe elektronike qëndruan para dyerve të Kuvendit të Kosovës, ku fillimisht kanë heshtur e më pas kanë fishkëllyer, duke apeluar për autoritetet qeveritare e legjislative, se nuk do të heshtin por do të vazhdojnë kultivimin e gazetarisë hulumtuese.
Gazetarët thonë se pushteti më këto ndryshime në Kodin Penal po përpiqet që t’i kërcënojë gazetarët me burg në mënyrë që të pengojë trajtimin e temave hulumtuese . por me këto qendrime nuk pajtohet kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, I cili thotë se kodi i ri penal, ka të bëjë kryesisht me penalizmin e shpifjes dhe jo të mediave dhe gazetarëve. Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, neni 37, definon përgjegjësinë penale për vepra penale me anë të mediave.
Ndëra neni 38, i cili rregullon mbrojtjen e burimeve, parashikon që gazetarët do të duhet ta zbulojnë burimin e tyre për të parandaluar ndonjë sulm që përbën kërcënim të pashmangshëm për jetën, gjë me të cilën pajtohen edhe gazetarët, por jo me pjesën e dytë kur kërkohet zbulimi i burimi për rastet e kërcënimit ndaj integritetit trupor të ndonjë personi.