Kosovë, Kuvendi kalon kundër-mocionin e PDK-së

Kuvendi i Kosovës ka kaluar mocionin e Partisë Demokratike të Kosovës që e shfuqizon atë të 7 dhjetorit të inicuar nga Vetëvendosja për reciprocitet të plotë me Serbinë. Me vota 59 për, 41 kundër, 1 abstenim, Kuvendi ka votuar mocionin e propozuar nga PDK. Mocioni i PDK-së parasheh atë që Kuvendi mirëpret marrëveshjet e arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë nga dialogu;
Qeveria zotohet që në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës të zbatojë masat e reciprocitetit; ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit dhe shfuqizon të gjitha vendimet e tjera lidhur me këtë çështje. Paraprakisht, është zhvilluar një debat i gjerë e i ashpër. Partitë opozitare e kanë kundërshtuar mënyrën e propozimit të këtij mocioni nga PDK, duke vlerësuar se duhej debat, në bazë të debatit të nxirren rekomandimet, dhe jo siç PDK kishte propozuar që në fillim rekomandimet.
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se kjo tendencë e PDK-së është tendencë për t`i mundësuar Qeverisë ta shpërfillë Kuvendin.