E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Kuvendi miraton në parim dhjetë ligjet e Ahtisarit

Ligjvënësit e Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuan gjatë ditës së djeshme në parim dhjetë projektligjet e para që dalin nga pakoja “Ahtisari”, përfshirë këtu projektligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe projektligjin për shtetësinë e Kosovës.
Projektligjet e miratuara janë konsideruar shumë të rëndësishme për funksionimin e Kosovës si shtet. Kryeministri Hashim thaçi ka paraqitur dy projektligje, atë për Ministrinë e Jashtme dhe për Imunitetin diplomatik. Projektligjet që kanë marrë epitetin në bazë të propozimit të ndërmjetësit ndërkombëtar në bisedimet shqiptaro-serbe, Ahtisari, kaluan me një procedurë të shpejtë, konform një mocioni që ligjvënësit e Kosovës miratuan në seancën e 15 shkurtit. Përveç projektligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atij për Shtetësinë, ligjvënësit miratuan edhe projektligjin për privilegjet dhe imunitetet diplomatike, atë për Policinë, për Inspektoratin Policor, për Dokumentet e udhëtimit, për Simbolet shtetërore, për Zonat e veçanta të mbrojtura, për Vetëqeverisjen lokale dhe projektligjin për kufijtë administrativë të komunave. Projektligjet që u miratuan dje në parim do të miratohen gjatë seancës së ditës së sotme.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›