OSBE: Respektoni afatet për reformën zgjedhore
Reforma zgjedhore është cilësuar si jetike nga Misioni i OSBE-së në Tiranë. Përfaqësuesi i Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Boch, u shpreh ditën e djeshme se duhet të respektohen të gjitha afat ligjore për krijimin e regjistrit elektronik të Gjendjes Civile. “Duhen respektuar afatet ligjore për zbatimin e këtij projekti, pasi ka një reformë zgjedhore e cila është mjaft e rëndësishme”, - tha Boch, i cili vlerësoi punën për hedhjen e të dhënave të para në sistemin e elektronik në Tiranë dhe në disa komuna. Sipas Boch, procesi i modernizimit është një proces kompleks dhe që kërkon një konsultim të nevojshëm me të gjithë përdoruesit që do të përdorin të dhënat e Gjendjes Civile. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetari i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. “Është e sigurt dhe është e qartë për mua dhe institucionin tonë, se suksesi i reformës zgjedhore duhet të marrë formën e një sistemi zgjedhor përpara datës së zgjedhjeve të përgjithshme në 2009-n, sistem ky që duhet të mbështetet nga të gjitha elementet infrastrukturore dhe logjistike, të cilat duhet të jenë në fuqi dhe të funksionojnë”, - tha Lohan. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dha të gjitha garancitë për prezencën e ndërkombëtarëve të lidhur edhe financiarisht me këtë projekt. “Zgjidhja që ne i ofrojmë shërbimit të Gjendjes Civile duhet të konceptohet dhe realizohet si një zgjidhje afatgjatë, efikase, që i reziston kohës, që furnizon me transaksione demografike territoriale dhjetëra institucione të tjera, si sistemin elektoral, Tatim-Taksat, Shërbimin Postar, Telekomunikacionin, sistemin e Drejtësisë dhe një sërë shërbimesh të tjera që lidhen me veprimtarinë ditore të qytetarëve shqiptarë”, - tha Nishani. Ky projekt, me një asistencë direkte të financuar nga Bashkimi Europian, OSBE-ja dhe SHBA-të, ofron asistencë teknike për qeverinë shqiptare për modernizimin e sistemit të adresave administrative dhe sistemin e Gjendjes Civile. Projekti do të sigurojë mbështetje për përmirësimin e kuadrit të mbrojtjes së të dhënave personale. Objekti i përgjithshëm i këtij projekti është të mbështesë Shqipërinë për përmirësimin e shërbimeve publike. Parashikohet që në fund të projektit, Shqipëria të ketë kuadrin e nevojshëm ligjor, strukturat dhe kapacitetet e duhura për të menaxhuar dhe përdorur një sistem modern adresash dhe sistem të kompjuterizuar të Gjendjes Civile, përfshirë kuadrin për mbrojtjen e të dhënave personale. Puna për këtë projekt zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, me mbështetje të Statistics Norway. Projekti i asistencës teknike, i cili ka nisur në shkurt të 2007-s dhe do të vazhdojë deri në tetor 2009, dhe ka një buxhet të përgjithshëm prej 2.54 milionë eurosh.
20 Shkurt 2008